Spahiu: Thirrje për qetësi, mos i përfshini fëmijët në situata dhune

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ka bërë thirrje për qetësi dhe përgjegjësi, pas tensioneve dhe incidenteve të regjistruara gjatë protestës në Durrës.
Gjatë një vizite në Spitalin Rajonal të Durrësit, ministrja shprehu mirënjohjen për mjekët, infermierët, ekipet e urgjencës dhe punonjësit e tjerë shëndetësorë në të gjithë vendin, të cilët po trajtojnë personat e lënduar gjatë protestave.
Spahiu vlerësoi gatishmërinë dhe përkushtimin e personelit mjekësor, duke theksuar se ata kanë vijuar të ofrojnë kujdesin e nevojshëm shëndetësor pavarësisht situatës së krijuar.
“U jam mirënjohëse për punën, qëndrueshmërinë dhe humanizmin e treguar, dhe siguroj se do të kenë gjithë mbështetjen e nevojshme për të vijuar këtë mision”, u shpreh ministrja.
Një apel ajo pati edhe për qytetarët e Durrësit, të cilëve u kërkoi të shmangin aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike, duke nënvizuar se shkatërrimi i hapësirave publike nuk zgjidh problemet, por dëmton qytetarët, familjet dhe komunitetin.
AdNjë vëmendje të veçantë, Spahiu i kushtoi përfshirjes së të miturve në situatat e tensionuara, duke u kërkuar prindërve dhe qytetarëve që të mos i ekspozojnë fëmijët ndaj dhunës dhe rrezikut.
“Fëmijët kanë nevojë për siguri, për mbrojtje dhe për shembullin tonë të mirë. Ata nuk duhet të ekspozohen ndaj rrezikut dhe as të bëhen pjesë e situatave që mund të cenojnë shëndetin dhe të ardhmen e tyre”, deklaroi ajo.
Në përfundim, ministrja theksoi se e drejta për t’u shprehur duhet të ushtrohet duke respektuar jetën, sigurinë dhe qytetin ku jetojnë qytetarët.