Spanja, paketë 5 miliardë euroshe për uljen e çmimeve të karburanteve

Qeveria e Spanjës ka miratuar një paketë ndihme prej 5 miliardë eurosh për të lehtësuar ndikimet ekonomike të luftës në Iran, duke përfshirë ulje taksash mbi energjinë, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Kryeministri Pedro Sanchez njoftoi të premten në Madrid se taksa mbi shitjen e energjisë elektrike do të ulet nga 21% në 10%, ndërsa disa taksa të tjera mbi energjinë do të hiqen.
Një mbledhje e jashtëzakonshme e kabinetit miratoi 80 masa që do të hyjnë në fuqi që nga e shtuna.
“Jam shumë i zemëruar me situatën,” tha Sanchez në një konferencë për shtyp.
Çmimet e karburanteve kanë shënuar rritje globale, dhe vendet evropiane po shqyrtojnë mënyra për të lehtësuar ndikimin ekonomik mbi qytetarët e tyre.
Qeveria spanjolle gjithashtu po punon për rritjen e importeve të gazit natyror nga Algjeria përmes një tubacioni. Spanja është një nga importuesit kryesorë të gazit të lëngshëm dhe një prej furnizuesve të saj kryesorë është Katari, i cili është goditur nga sulmet iraniane.
Megjithëse rritja e çmimeve të energjisë po ndikon mbi qytetarët, Spanja është më e mbrojtur krahasuar me krizën e mëparshme të energjisë falë prodhimit të madh të energjisë së ripërtëritshme, duke mbajtur disa nga çmimet më të ulëta të energjisë elektrike në Evropë.