Spanja, strategji për rritje ekonomike në BE deri në 2020
Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja spanjolle “El Pais”, e cila citon një intervistë të ministrit të Jashtëm spanjoll, Migel Angel Moratinos. Spanja do të marrë presidencën e radhës së Bashkimit Europian duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm."Synimi më i rëndësishëm është koordinimi i një daljeje të plotë nga kriza ekonomike dhe realizimi i një strategjie rritjeje të qëndrueshme ekonomike për vendet evropiane përgjatë periudhës aktuale deri në vitin 2020", deklaroi ministri Moratinos, për gazetën ''El Pais''.Spanja është një ndër vendet evropiane të prekura më rëndë nga kriza ekonomike globale. Gjatë deklarimit të prioriteteve për presidencën spanjolle gjashtëmujore të BE-së, Moratinos gjithashtu bëri publik një synim personal tepër ambicioz."Personalisht, do të më pëlqente të bija dakord me të gjitha palët për njohjen e Palestinës si shtet. E kam të qartë që gjashtë muaj nuk është një kohë shumë e gjatë, por do të përpiqemi me të gjitha mundësitë që kemi", u shpreh ministri.''Spanja do të punojë gjithashtu edhe për përmirësimin e marrëdhënieve të BE-së me Marokun dhe Kubën'', deklaroi Moratinos, ndërkohë që samiti i presidencës spanjolle me Marokun do të jetë më 8 Mars në Granada."Ky do të jetë një samit shumë i rëndësishëm, me vlera jashtëzakonisht të rëndësishme historike dhe simbolike, sepse do të jetë samiti i parë mes BE-së dhe Marokut dhe ideja e lidhjes mes Afrikës Veriore dhe Evropës është shumë pozitive", nënvizoi Moratinos.