E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja, testi i radhës për euron

Vazhdojnë thashethemet për kërkesën e saj për ndihmë, por këtë herë do të jetë shumë më e vështirë

Ndërsa euroja vazhdon që të përjetojë kohë të vështira dhe të ulet në vlerë në krahasim me monedhat e tjera me të cilat shkëmbehet Spanja është shndërruar tani në qendrën e vëmendjes për ata që i druhen përsëritjes së një situate si ajo e Greqisë. Frika është edhe për mungesën e balancave mes vendeve të Europës Veriore dhe asaj Jugore, e cila pak nga pak do ta ndante në dy pjesë monedhën e përbashkët. Lajmi se shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar ishte në Spanjë i frikësoi shumë tregjet ndërkombëtare dhe kështu këtë javë nisën thashethemet se ndoshta edhe Spanja po përgatitej që ri kërkonte institucionit të rëndësishëm një hua të tipit të Greqisë. Spanja ka pësuar goditje të mëdha nga problemet me sektorin e ndërtimeve dhe plasja e flluskës së shitjeve të pasurive të patundshme ka infektuar shumë institucione financiare. Një në 5 punëtorë të Spanjës është i papunë dhe kjo barrë i ka rritur edhe më shpenzimet e qeverisë. Tregjet nuk kanë gjetur qetësi as pas njoftimit të Parlamentit spanjoll se kishte miratuar paketën e shkurtimeve të shpenzimeve buxhetore sipas së cilës deficiti synon që të ulet ndjeshëm gjatë viteve të ardhshme.

Tashmë ka zëra gjithnjë e më shqetësues sipas të cilëve Spanja ka shumë mundësi që nëse do të jetë në një situatë të vështirë do t’i kërkojë FMN-së dhe vendeve të BE-së ndihmë financiare të tipit të Greqisë. Madje, sipas disave që Spanja të nis të marrë frymë ka nevojë për rreth 250 milionë euro. Edhe përqindja e marrjes së kredive është shtuar ndjeshëm për bankat spanjolle dhe kjo ka bërë që tashmë çdo lëvizje financiare e institucioneve përkatëse në këtë vend të jetë shumë më e vështirë dhe më e shtrenjtë. Sipas asaj që kanë pohuar vetë zyrtarët e lartë spanjollë shumë institucione financiare janë duke luftuar seriozisht për të financuar me çdo çmim kreditë e marra në tregun financiar.

Për t’u provuar tregjeve se frika e tyre ndaj bankave spanjolle është e pabazë shumë banka të këtij vendi kanë vendosur që të publikojnë të ashtuquajturin test i stresit dhe këtë ta bëjnë së bashku me banka të vendeve të tjera të Europës. Por kjo manovër nuk do të ketë një ndikim të madh në borxhin publik dhe tregjet gjithsesi do të frikësohen dhe do të jenë të pasigurta.

Javën e kaluar Presidenti i Bashkimit Europian bëri të ditur para vendeve të Bashkimit Europian se nëse situata problematike do të përkeqësohej, atëherë për ta rivënë atë nën kontroll ndoshta do të duhej lëvrimi i një tjetër pakete financiare prej 700 miliardë eurosh në formën e paketave shpëtimtare. “Nëse plani nuk do të jetë i mjaftueshëm përgjigjja ime në këtë rast është e thjeshtë: duhet bërë më shumë”, ka deklaruar Presidenti. Por perspektiva e hedhjes së miliardave shtesë në Spanjë do të jetë shumë jo popullore në vende të tilla si Gjermania, ku qeveria e Angela Merkelit është në prag të kolapsit pikërisht për shkak të huasë që iu dha Greqisë. Problematike janë bërë edhe masat për ndërmarrjen e shkurtimeve buxhetore për të ulur deficitin. Shenjat e krizës në lidhje me kundërshtinë ndaj masave të tjera të tipit të Greqisë erdhën javën që shkoi kur qeveria e Sllovakisë refuzoi që të paguante pjesën e saj në paketën e përbashkët prej 500 miliardë eurosh që përbën edhe fondin shpëtues financiar për vendet e krizës. Pozicioni i Sllovakisë e shqetësoi shumë Komisionin Europian se nëse një vend nisi që të kundërshtojë për ndihmë, atëherë edhe të tjerë mund ta bënin dhe në rastin e një ndihme të mundshme financiare ndaj Spanjës arritja e një marrëveshjeje për një paketë financiare do të bëhej shumë shumë e vështirë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›