E Diel, 1 Nëntor 2026

Ksamili, letër Kryeministrit: Zgjidhni problemet e pronave

Reagimi, pas aksionit të ndërtimorëve për prishjen e ndërtimeve pa leje.

Pas aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje, reagon komuniteti i Ksamilit. Ata i kanë dërguar një letër qeverisë dhe Kryeministrit të vendit të kthejë vëmendjen nga kjo zonë turistike, pas ikjes së fadromave të Gjergj Bojaxhiut. Kreu i kësaj komune, Vesel Koçia, ka iniciuar mbledhjen e këshillit komunar, i cili në emër dhe të 10 mijë banorëve të saj, i kanë dërguar një letër sensibilizuese kreut të qeverisë shqiptare.

Në letër, para së gjithash, kërkohet zgjidhja e problemit të pronësisë mbi tokën. Kështu, në përputhje me zbatimin e ligjit, kërkohet që të kompensohen banorët e Ksamilit si ish-punonjës të ndërmarrjes bujqësore dhe shumë banorë të tjerë që kanë ardhur deri në vitin 1994 në këtë territor, që trajtohen sipas ligjit me truall ndërtimi. Veç kësaj ksamiliotët i kanë kërkuar Kryeministrit përshpejtimin e procesit të legalizimeve, në mënyrë që të krijohet një treg i ligjshëm punësimi dhe kthimin sa më shpejt të pronave publike. Kreu i komunës, Vesel Koçia, thotë për “Shqip” se: “Komuna sot nuk disponon asnjë aset publik. është një komunë në ajër”. Pastrimi i gjithë territorit nëpërmjet mjeteve xheniere të ushtrisë për t’i dhënë sa më shpejt fund imazhit të krijuar nga operacione shembjeje, të marra vit pas viti. Ka shumë inerte të cilat duhen hequr, pasi Ksamili është një zonë turistike. “Operacioni i ligjshëm përcjell një mesazh mjaft të fortë për këdo që ka ndërtuar pa leje, por duhet paraprirë me këto masa”, shprehet kryekomunari. Ai shton se banorët i kanë kërkuar komunës marrjen e lejes së ndërtimit, por problemi qëndron se ende nuk dihet se ku mbaron prona publike shtetërore e ku ajo private.

Vetë kryekomunari bëhet denoncues i tregut të trojeve. Sipas tij, ka një tendencë të jashtëzakonshme për të “pushtuar” trojet e Ksamilit me dokumente false dhe qeveria këtu duhet ta drejtojë “fadromën”. Sugjerimi i tij është që “Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ta shoshitë mirë gjithë dokumentacionin, me të cilin pajisen pseudo-pronarët, duke paguar gjyqtarët për të ligjëruar hektarë të tërë”. Ai bën apel për t’u goditur këta falsifikatorë, siç u goditën qytetarët e Ksamilit, të cilët kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme në 80 ha, duke cunguar dhe strehimin e tyre. “Si mund të heshtë shteti për ata pseudo-pronarë, të cilët kërkojnë të bëhen supermiliarderë me pronat e paligjshme që kërkojnë të privatizojnë me dokumente false?”-shtron pyetjen kryekomunari Koçia. Sipas tij, i tillë është edhe rasti i një pronari, që kërkon 160 ha tokë në Ksamil, duke mos e bazuar këtë me dokumente ligjore, por duke e ngritur mbi afera korruptive. Në pritje të reagimit të Kryeministrit Berisha ndaj letrës, shoqata “Ksamiliotët për Ksamilin” kanë paralajmëruar mbajtjen e një tubimi paqësor paraditen e së hënës, për zbatimin e ligjit nr. 10208 “Për kalimin pa shpërblim të tokës bujqësore” për familjet e ish NB-Ksamil. Ndërkohë, do të kërkohet përshpejtimi i procesit të legalizimeve nga ALUIZNI, mosndërhyrjen e INUK mbi objektet në proces legalizimi dhe kthimin e pronave publike që transferohen në pronësi apo përdorim të Komunës Ksamil.

Ndërkaq, pas shembjes që bëri fadroma e operacionit “Bojaxhi” në këtë komunë “shembullore” për informalitet, kryetari i komunës, Vesel Koçia, thotë se ndihet njëlloj si kryefamiljari i një familjeje ku ka pllakosur zia. Ai shprehet se ndien detyrimin për ta nxjerrë komunitetin nga gjendja e tulatjes, sepse duket se jeta në Ksmailin që përgatitej të çelte sezonin e ri veror, ka ngrirë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›