E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanjë, dy të vdekur nga zjarret

Të paktën dy persona kanë gjetur vdekjen si pasojë e zjarreve që përfshinë një zonë pyjorë në Avila të Spanjës. Lajmi është bërë i ditur nga mediat spanjolle. Një profesor në pension, 63-vjeç, besohet se është përfshirë nga flakët të cilat rrethuan shtëpinë e tij në zonën Las Majadas, ndërsa viktima e dytë është një punëtor i cili po përpiqej të shuante flakët. Më herët u raportua se edhe një grua ishte deklaruar e humbur, por më pas ekipet e ndihmës së shpejtë mundën ta lokalizonin atë. 300 hektarë tokë përreth Arenas de San Pedro janë gllabëruar nga flakët në vetëm 5 orë, një zjarr që nga autoritetet besohet se është vënë qëllimisht. Mediat vizive kanë transmetuar pamje të vatrave të zjarrit dhe flakët që digjnin hapësira të konsiderueshme, gjatë orëve të mbrëmjes. Zonat më të afërta të banueshme dhe një manastir që gjendej aty, janë evakuar, ndërsa banorët janë strehuar në qendra sportive apo shkolla. Shtëllungat e tymit që u krijuan nga flakët , mund të shiheshin që nga larg, madje deri në kryeqytet, në Madrid. Në fundjavë, zjarret përfshinë disa vende në Europën Jugore. Spanja ishte një nga vendet që u godit më rëndë dhe autoritetet thanë se shumë persona janë evakuuar për t'u shpëtuar flakëve që vranë pesë persona.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›