Spartak Braho: Prokuroria, pasion kriminal për të dënuar Metën
Në një deklaratë për mediat, Spartak Braho, që përfaqëson Ilir Metën në procesin gjyqësor ndaj këtij të fundit, ka akuzuar edhe njëherë prokurorinë, duke thënë se ka një pasion kriminal për të montuar prova, me qëllim dënimin e Ilir Metës.
Lipset të deklarojmë se Prokuroria në kërkesën e saj sot, provoi edhe njëherë se mbeti në mjerim të thellë profesional dhe ligjor për argumentet dhe pseudo-provat ku u mbështet.
E shtrënguar nga mungesa e tyre, por edhe paaftësia, ne pamë se asaj gjatë gjithë procesit gjyqësor, ju rrëzuan të gjitha pseudo-argumentet, prej të cilave ajo dhe vetë hoqi dorë, duke e parashëmbur kalanë prej rërë, të ndërtuar me pasion kriminal .
Ajo që pamë dhe dëgjuam sot në këtë seancë , në të cilën ajo duhet të reflektonte, ishte që për të shpëtuar nga mbytja Prokuroria u kap me dhëmbë në gomonen e çpuar të mashtruesit të vitit.
Fatkeqësi për këtë institucion, i cili na u shfaq edhe njëherë si kollovar dhe shërbëtor i politikës së rrugës dhe jo i ligjit.
Mund të themi pa më të voglin dyshim se pafajësia e Ilir Metës, e kërkuar nga mbrojtja në seancën e sotme është evidente sepse e tillë është e vërteta, ka thënë Braho.
Deklarata e këtij të fundit u bë pasi prokuroria kërkoi dënimin e Ilir Metës me 2 vjet burg.