Associated Press: Prokuroria kërkon burg për ish- kryeministrin
Edhe mediat e huaja i kanë bërë jehonë lajmit se prokuroria në Shqipëri ka kërkuar dy vite burg për ish- kryeministrin Ilir Meta me akuzën për korrupsion aktiv. Më poshtë gjeni raportimin e agjencisë Associated Press.
Prokurorët shqiptarët kërkuan dy vite burg me akuzën për korrupsion për një ish- kryeministër, dorëheqja e të cilit nga një post tjetër shkaktoi një krizë të rëndë politike vitin e shkuar.
Ilir Meta është akuzuar nga një ish- ministër i Ekonomisë se është përpjekur të ndikojë për një tender shtetëror për një hidrocentral.
Dritan Prifti publikoi një video që sipas tij tregonte incidentin. Meta ka hedhur poshtë çdo akuzë dhe pretendon se video është e fabrikuar, por prokurorët thonë se është origjinale.
Meta, lider i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ka qenë kryeministër nga viti 1999 deri në vitin 2002 dhe ka qenë zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm në kohën kur mendohet se u bë video.
Dorëheqja e tij në janar të vitit të shkuar, pasi video u bë publike nga Prifti, çoi në tensione politike që kulmuan me një protestë antiqeveritare që la katër persona të vdekur.
Koalicioni opozitar i udhëhequr nga Partia Socialiste kërkoi nga kryeministri konservator Sali Berisha zgjedhje të parakohshme dhe dorëheqjen e tij. Të dy kërkesat u rrëzuan.
Shqipëria, një nga vendet më të varfra në Europë dhe tani një vend anëtar i NATO-s, po kërkon të bashkohet me Bashkimin Europian, por blloku me 27 shtete thotë se vendi ballkanik me 3 milion banorë nuk ka bërë sa duhet për të çrrënjosur korrupsionin.
Prokurori Bujar Sheshi po ashtu kërkoi nga Gjykata e Lartë që të gjobisë Metën me 1 milion lekë dhe të paguajë kostot procedurale.
Avokatët e Metës po ashtu paraqitën pretendimet e tyre të premten. Gjykata deklaroi se do e shpallë verdiktin më 16 janar.
Ne do respektojmë çdo vendim të Gjykatës së Lartë, tha avokati i Metës, Spartak Braho.
Për shkak të pozicionit të tij të lartë, Meta u gjykua direkt nga Gjykata e Lartë duke shmangur shkallën e parë dhe apelin.