U-21, një Shqipëri e bukur ndal Austrinë
Dash Frashëri
Shqipëria U-21 bëri një prezantim të shkëlqyer në barazimin 2-2 me Austrinë e kësaj moshe, në një takim ku me të vërtetë mund të themi se kemi humbur dy pikë, pasi kuqezinjtë e Artan Bushatit udhëhoqën 2-0, përpara se austriakët të shënonin dy golat që i siguruan një pikë të çmuar në transfertën e Tiranës, pavarësisht se ekipi i Andreas Hercog humbi dy penallti në “Qemal Stafa”, nga një në çdo pjesë loje. Ky ishte barazimi i parë i Shpresave në gjashtë ndeshje të zhvilluara për eliminatoret e Kampionatit Europian U-21 2011.
PJESA E PARË
Shqipëria rrezikoi qysh në minutën e dytë, kur Altin Hoxha i Teutës goditi fuqishëm brenda zonës, por portieri austriak Konigshofer reagoi, duke grushtuar e shmangur rrezikun. Hysa në minutën e 10-të lëshoi një top të bukur për Karabecin, mesfushori i Tiranës goditi në ecje e sipër, por Konigshofer e devijoi në goditje këndi, ku pas ekzekutimit të saj, mbrojtësi i Gramozit, Klodian Semina rrezikoi me kokë. Në minutën e 20-të, Karabeci harkoi një top brenda zonës austriake, dhe aty Arsen Sukaj i Vllaznisë, goditi fillimit me kokë, por që u ndalua nga Koningshofer, dhe në tentativën e dytë, topin e kthyer mbrapsht nga portieri austriak, shkodrani e shndërroi në gol duke realizuar golin e parë të Shqipërisë. Në të 29’ sulmuesi i Teutës, Vilfor Hysa, pas një rrotullimi të bukur me trup, goditi fuqishëm brenda zonës, por portieri austriak ishte i vëmendshëm, duke i dhënë një tjetër nuancë dominimi të Shqipërisë në tridhjetë minutat e para në një “Qemal Stafa”, thuajse të zbrazët. Sabien Lilaj u ndëshkua me karton të verdhë në të 30’. Karabeci krosoi nga e djathta, dhe aty me kokë Odise Roshi i Flamurtarit goditi, duke fituar goditjen e këndit të radhës. Shqipëria në një ditë shumë të mirë dhe me një profil agresiv. Polizoi Arbëri, Olsi Gocaj, Klodian Semina ishin thuajse pakalueshëm në vijën e mbrojtëse, aq portieri Shpëtim Moçka në pjesën e parë nuk pati thuajse aspak punë, përveçse disa devijimeve në goditje këndi. Në të minutën e 43-të, gjyqtari polak dha një penallti, pasi sulmuesi Rroshi mbajti nga fanella një austriak brenda zonës së vogël. Kavlak goditi mbi katërkëndëshin e portës, duke shpërdoruar kështu mundësinë më të mirë për të realizuar për Austrinë e Andrea Hercogut.
PJESA E DYTË
Në të 50’, Roshi ndërmori një inkursion të shpejtë nga e majta e sulmit tonë, fieraku i Flamurtarit krosi bukur në zonë, por goditja me kokë e Vifor Hysës ishte jo në nivelin e aksionit.
Disa sekonda më pas, Erando Karabeci lëshoi një top prapa shpinës së mbrojtjes austriake, dhe aty, Roshi pasi fitoi një duel shpejtësie shënoi me një goditje të shkëlqyer golin e dytë në minutën e 51-të. Ky ishte goli i dytë i Roshit kundër Austrisë, pasi fieraku i Flamurtarit ishte dhe autori i golit të vetëm të Shqipërisë në humbjen 3-1. Gëzimi i ligjshëm i Shqipërisë zgjati shumë pak, pasi pas thuajse 30 sekondash Austria shënoi golin e parë me anë të një topi i devijuar edhe nga një mbrojtës tonë, Semina, pas goditjes nga ana e Kavlakut, lojtarit që humbi edhe penalltinë për skuadrën e tij. Gjyqtari polak Tomazs Mikulski dha një tjetër penallti në minutën e 74-t, një 11-metërsh i dyshimtë, pas një ndërhyrjeje në kufijtë e zonës të Polizoi Arbërit. Dhe sërish një penallti tjetër e humbur nga austriakët. Shpëtim Moçka i tha “jo” kundërshtarit të tij Baumgartligner, duke grushtuar topin e më pas në hedhjen e dytë, duke e pritur atë. Heroi vlonjat merr përqafimet e shokëve por fiton dhe duartrokitjeve të shikuesve në “Qemal Stafa”. Zëvendësuesi Burgstaller lëshoi një korridor të gjatë horizontal në vijën ballore të portës sonë, mbrojtja jonë ishte rreshtuar keq dhe Perstaller nuk e pati të vështirë të shënojë golin e barazimit në minutën e 79-të. Shqipëri-Austri 2-2. Momenti i fundit i mirë për Shqipërinë ishte ai i minutës së 92-të, kur mesfushori Karabeci fitoi një goditje të lirë rreth 25 metra larg portës. Roshi goditi fuqishëm, por topi u përplas në murin e formuar nga austriakët. Minuta e fundit e takimit regjistruan dy kartonë të verdhë për Austrinë, pikërisht për dy humbësit e penalltive, Kavlak dhe Baumgratlinger. Përfundimisht, një paraqitje dinjitoze dhe një barazim i merituar i Shqipërisë, ku me pak kujdes mund edhe të kishim realizuar fitoren e dytë në kualifikuese, pas asaj me Azerbajxhanin në “Niko Dovana”. Pikërisht në stadiumin e qytetit të Durrësit do të zhvillohet të mërkurën edhe takimi i fundit i këtij viti, ai kundër Bjellorusisë, ndaj së cilës humbë në transfertë 4-2. Shqipëria u ngjit në kuotën e 4 pikëve pas gjashtë ndeshjesh, duke pasur në bilancin e saj: 1 fitore (me Azerbajxhanin), 1 barazim me Austrinë (ky i djeshmi) dhe 4 humbje (me Skocinë, 2, Austrinë dhe Bjellorusinë).
Tifozët kuqezinj: “E duam Atdheun në Kombëtare”
Takimin e parë me Austrinë, Shqipëria e kishte humbur me rezultatin 3-1 në Vjenë, ku dy nga golat për austriakët i shënoi Atdhe Nuhiu, i pranishëm edhe në ndeshjen e “Qemal Stafës. Fansat kuqezinj, madje kishin shpalosur edhe një banderolë kuptimplote “E duam A.Nuhiun në Kombëtare”. Gjithsesi, gjiganti shqiptaro-austriak me numër 9 bëri një paraqitje të mirë përballë publikut shqiptar në të parën vizitë që ai bënte në Shqipëri dhe u ndje i respektuar nga tifozët kuqezinj.
2 penallti të humbura
Gjyqtari polak Tomazs Mikulski dha dy penallti për Austrinë. Të parën, atë të pjesës së parë (43’), Kavlak goditi mbi katërkëndëshin e portës, ndërkohë që në dytën, portieri shqiptar Shpëtim Moçka i tha “jo” kundërshtarit të tij Baumgartligner, duke grushtuar topin e më pas në hedhjen e dytë, duke e pritur atë.
BJELLORUSIA
Pas ndeshjes me Austrinë, Shqipëria U-21 do të përballet me Bjellorusinë (17 nëntor), ndaj së cilës humbëm 4-2 në transfertë. Golat për kuqezinjtë u realizuan Ahmed Januzi dhe Vilfor Hysa. Në pesë ndeshje Shqipëria U-21 ka fituar vetëm Azerbajxhanin në “Niko Dovana”, ndërkohë që ka humbur me Skocinë (2), Austrinë dhe Bjellorusinë. Kombëtarja U-21 renditet e parafundit në grup me tri pikë. Austria mban vendin e parë në grup me 9 pikë, po aq sa Bjellorusia e Skocia.
14 Nentor 2009