E Shtunë, 31 Tetor 2026

Specialistët SOS për monumentet me qira

Arkitekti Artan Shkreli: Dorëzim pa kushte i shtetit

Lista e rreth 40 monumenteve të cilat do të jepen me qira për tu shndërruar në ambjente biznesi nga investitorët privatë në emër të atij që është mbiquajtur rivitalizim i monumenteve, një listë kjo e cila është përpiluar nga Instituti i Monumenteve e që pret miratimin e Ministisë së Kulturës, ka shkaktuar reaksion ndër specialistë dhe studiues.

Arkitekti Artan Shkreli e cilëson këtë si një listë e cila do të jetë fatale për trashëgiminë tonë kulturore. Por cilat janë risqet e kësaj nisme?! Studiuesi Shkreli ndalet jo vetëm te kuadri ligjor por edhe pasojat që do të sjellë dhënia me qira e monumenteve të cilat do të shndërrohen në bare, restorante e hotele.

Duke ju referuar rasteve konkrete, studiuesi Shkreli thekson atë që po ndodh me Kalanë e Lezhës, atë që ka ndodhur me Kalanë e Lëkurzit dhe atë që pritet të ndodhë me të tjera kështjella të rëndësishme në historinë e shqiptarëve. Projekti për rivitalizimin e monumenteve të kulturës është më shumë se sa kjo listë e cila pret miratimin në ministri.

Megjithkëtë, në analizën vjetore ishte ministri Aldo Bumçi ai që e solli këtë si një prioritet të vitit 2012-të, e pas kësaj drejtori i monumenteve Apollon Baçe deklaroi se lista është gati. E tani radhën e kanë investitorët të cilët në sajë të projekteve pritet të ngrenë biznesin e tyre në monumentet e kulturës në të gjithë Shqipërinë. Siguria që japin këta drejtues institucionesh ka të bëjë me mekanizmat e kontrollit të tyre dhe faktin se projektet do të mbikqyert, por specialistët e studiuesit përkundër kësaj sjellin shembujt e ndërhyrjeve të pakontrolluara në kala të rëndësishme të vendit, ndërhyrje që kanë dëmtuar pakthyeshmërisht monumentet e kulturës, ndër objektet më me rëndësi në trashëgiminë kulturore të vendit.

Z. Shkreli, jemi përballë kësaj nisme të fundit të Institutit të Monumenteve dhe Ministrisë së Kulturës. Si e shihni këtë lëvizje të fundit në emër të rivitalizimit të monumenteve të kulturës duke i dhënë ato me qira?

Kam dëshirë të mos besoj dhe nuk besoj që Ministria e Kulturës do të ketë një dritë kaq të shkurtër sa të miratojë  kështu, me shpejtësi një gjë kaq të pa strukturuar siç është privatizimi, apo dhënia me qira, apo amfiteoza apo dhënia më koncesion e monumenteve të kulturës, e monumenteve kombëtare shqiptare. Nuk besoj që shembulli më i shëmtuar i ndërhyrjes, plani për të ndërhyrë në Kalanë e Lezhës do konsiderohet si ekzemplar për ti hapur rrugën kësaj liste të gjatë.

Shqipëtria tregoi sidomos në 15 vitet e fundit që bashkëpunimi i privatit me shtetin përsa i përket administrimit të monumenteve të kulturës ka dështuar sa herë që krahu ka qenë në krahun e privatit dhe ka ecur mirë kur kjo gjë është kontrolluar nga shteti. Për më tepër, nuk ekzitson një kuadër ligjor për të bërë këtë hap, nuk ekziston akoma një rregullore e cila lejon një auditim sipas kritereve të Evropës në rast kur këto munumenteve u jepen të tretëve dhe më krysorja, nuk është përfunduar ende ligji  për trashgiminë kulturore i cili është ende në lëvizje dhe ne ende nuk e dimë nëse do të ketë diçka të parashkuar për këtë çështje apo jo.

Por pavarësisht këtyre, një gjë mund tjua them me siguri. Nëse kjo nismë do të vijojë dhe monumentet e asaj liste do të jenë në dispozicion të privatëve për të bërë biznes, do të kemi një shkatërrim gradual të monumenteve në disa raste, e në raste të tjera do të ketë shkatërrim të menjëhershëm. Në asnjë mënyrë nuk mundët dhe nuk duhet që privati ta kontrollojë në mënyrë totale ose në shumicë këtë ndërhyrje, këtë operacion i cili është shumë delikat.

Nëse i referohemi shembujve konkretë, Kalasë së Lezhës sidomos ku ndërhyrjet janë kontestuar me ashpërsi nga studiuesitçpo ndodh aty?

Imagjinoni një kala si ajo e Lezhës në projektin e së cilës mendohet të ndërtohen struktura të cilat janë të rrënuara dhe janë mesjetare, e mbi to të ringrihen ca mure për tu bërë bare, restorante dhe për tu bërë motel.
Është një gjë e paimagjinueshme kjo që ka menduar dhe vendosur të bëjë Z. Ceka dhe enturazhi i tij, njerëz të cilët kanë shkëptutur çdo lloj lidhje tani me realitetin dhe komunitetin e restuaratorëve e komunitetin shekocor në Shqipëri.

Komunitet i cili siç keni pasur rastin ta shihni këto dotë, kanë qenë të indinjuar nga një nismë e tillë.
Kalaja e Lezhës, dhe Kalaja e Tepelenës janë shembujt më përfaqësues për këtë çështje, ku shteti nuk kontrollon më në asnjë mëënyrë asnjë ndërhyrje që privatët bëjnë aty. Shteti është inekzistent në ato munomente të cilat janë të lidhura njëra me mitin e Skënderbeut dhe tjetri me mitin e Ali Pashait. Imagjinoni se çfarë ndërhyrje do të bëjë shteti në monumente të dorës së dytë apo të tretë dhe sidomos kur nuk kanë autoritet të ndërhyjnë të privati.

Kalaja e Lezhës është një kala ku po kryhen gërmime arkeololgjike të një niveli që ka të bëjë me vazhdimësinë tonë iliro-shqiptare, ndërsa projekti i famshëm e kthen atë në motel. Kjo do të thotë që këta njerëz që kanë përgatitur këtë program nuk kanë lidhje fare me realitetin, kanë mbyllur ciklin e tyre shkencor dhe atë human përderisa duan dhe kanë vendosur që monumentet tona kombëtare ti jepen të tretëve për restorante dhe motele.

Ku do të shkojmë.çdo të ndodhë me monumentet tona të kulturës nëse ky projekt, apo më mirë thënë këto projekte të njëpasnjëshme përvijohen?

Ky është një dorëzim pa kushte i shtetit. Nëse do të kishte qenë kaq e thjeshtë që monumentet ti jepeshin të tretëve dhe ata ti restauronin, këtë do e bënte gjithë bota dhe shteti do jetonte si një shoqëri erentiere, që privatët i restaurojnë dhe shteti merr para. Nuk ekziston kjo! Të ishte kaq e thjeshtë do të ndodhte në shumë vende të botës por ja që nuk ndodh kështu. Mjaft të përmendim shembuj që në Pompei janë kthyer mbrapsh një projekt i tillë, në Kullen Eiffel po ashtu, në monumente kombëtare në Angli janë kthyer pas nisma të tilla sepse kanë dështuar. Po le të kthehemi në Shqipëri.

Sidomos neve nuk na lejophet të bëjmë dështimin e radhës sepse jemi nga vendet me më pak monumente në Evropë. Është një mit i madh ai që Shqipëria ka shumë monumente në raport me fqinjët. Jemi një nga vendet me më pak monumente dhe kësaj i shtohet menaxhimi më i keq i mundshëm dhe nëse do i heqim edhe këto nga autoriteti shtetëror do të jetë një shkatërrim i pakthyeshëm sepse monumentet nuk kthehen më në gjendjen e parë nëse vihet dorë në to.

Intervistoi: Anisa Ymeri

Shkrime të tjera me interes:

  1. Monumentet me qira! Arkeologu Ceka: Më të rrezikuara po ti lëmë djerrë Pak përpara se të miratohet dhe të bëhet publike lista...
  2. Monumentet e kulturës rrezikojnë të shndërrohen në mejhane Studiuesi Lorenc Bejko: Rrezikohet trashëgimia kulturore e vendit E paralajmëruar...
  3. Gjirokastër- Askush nuk kujdeset për Heronjtë e Popullit Gjirokastër- Monumentët e figurave historike të periudhave të ndryshme të...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›