Mallkimi i të qenit rom, bashkia u prish kasollet, pronari i dëbon nga toka
Tiranë- Jetesa e familjeve të komunitetit rom ka qenë gjithmonë një problematikë e cila ende nuk ka marrë një zgjidhje nga shteti. Akoma më e vështirë ka qenë nata e mbrëmshme për dhjetra banorë të cilët jetojnë në çadra pranë kompleksit të pishinave në Tiranë. Ata e kanë kaluar natën nën rreshjet e shiut dhe të ftohtit, pasi u ka ardhur një urdhër nga bashkia për t’i prishur barakat.
Disa prej tyre e kanë kaluar natën në mes të shiut, disa të tjerë janë mbuluar me mushama ndërsa fëmijët janë strehuar mes grumbujve të rrobave. Mëngjesi i ka gjetur duke vazhduar prishjen e shtëpive, dhe zhvendosjen e rrobave apo dërrasave me motor, ndërsa më të vegjlit janë ulur pranë zjarrit për tu ngrohur. Disa të veshur me rroba të grisura, disa zbathur ndërsa të tjerë të lagur nga shiu rrijnë afër njëri-tjetrit për tu ngrohur në ato pak flakë të cilat mbahen në jetë duke djegur sfungjer apo rroba.
Sipas tyre para tre ditësh Policia Bashkiake ka ardhur dhe u ka kërkuar që ata duhet të largohen që aty dhe të vendosen te lagjia 5 Maji. Kanë qenë vetë banorët që kanë kërkuar tre ditë kohë për të prishur barakat dhe sot ishte dita e fundit që ata duhet të ikin nga ky vend. Por pasditen e të mërkurës, ndërsa familjet e para rome kishin nisur të zhvendoseshin drejt vendit ku u ishte thënë nga bashkia, ata kanë nisur të rikthehen sërish tek sheshi pranë kompleksit të pishinave.
Anëtarë të komunitetit rom thanë për IDEA se në vendin që u kishte caktuar bashkia i ka dëbuar pronari i tokës, dhe ata kanë nisur të rindërtojnë sërish kasollet që kishin shkatërruar një ditë më parë.
Ky komunitet përbëhet nga rreth 15 familje dhe rreth 50 banorë të cilët kanë 8 vjet që jetojnë në këtë vend. Ata janë të shqetësuar sepse është kërkuar prishja e barakave tani në mes të të ftohtit dhe shiut, madje sipas tyre ata do të jetojnë edhe disa ditë të tjera në ambient të hapur sepse do të duhet kohë për ndërtimin e barakave nga e para.
Një nga banorët tregon se kanë merak për fëmijët sepse janë të vegjël dhe kanë 3 ditë në mes të të ftohtit.
Erdhën para 3 ditësh dhe na thanë të ikim që këtu për të na çuar te ’5 Maji’. E kemi kaluar gjithë natën në shi. Unë kam dhe 2 fëmijë të vegjël që bashkë me ta kemi qëndruar në qiell të hapur. Të kishin pritur të paktën dhe ca dit sat ë largohej ky i ftohti u shpreh ai.
Ndërsa një banor tjetër tregon se gjatë 8 vjetëve që ata jetojnë aty shteti nuk iu ka dhënë asnjë ndihmesë.
Na thanë të iknim, por të na kishin sjellë të paktën ndonjë mushama a çadër për tu strehuar derisa t’i ndërtojmë barakat nga e para. Pastaj kemi 8 vjet këtu dhe nuk na ka ardhur njeri të na pyesë se si e kemi hallin. Jetojmë duke mbledhur kanaçe dhe duke gjetur copa buke në koshat e plehrave. Shteti e dimë që nuk na jep shtëpi, por të paktën të na sjellë ndonjë pako me makarona dhe oriz për të ushqyer fëmijët, se ne të mëdhenjtë edhe jetojmë më një vakt bukë.
Ndërsa disa familjet të tjera të cilat kanë ardhur nga barakat që u dogjën te stacioni i trenit shprehen se kanë ngelur duke lëvizur nga një vend në tjetrin.
Shumica e banorëve janë zhvendosur, kanë ngelur dhe pak familje të cilat po punojnë që deri në mbrëmje edhe ata të shkojnë te pjestarët e tjerë të komunitetit. Të gjithë shpresojnë që nata të mos jetë me shi sepse edhe një natë tjetër e kaluar të lagur sipas tyre do të jetë shumë e vështirë për fëmijët të cilët kanë filluar të sëmuren.
Ndërsa komuniteti rom ka mbetur tashmë në mëshirë të natyrës, dhe në pritje të cadrave që as nuk dinë ku t’i ngulin, miliona dollarë e euro rrjedhin çdo vit në emër të tyre nga donatorët e huaj.
Kliti Topalli/ IDEA
Shkrime të tjera me interes:
- Bashkia Cërrik hedh sytë tek komuniteti rom dhe egjyptian. Bashkia Cerrik tashmë i ka hedhur sytë dhe tek komuniteti...
- Protestë në Tiranë/ Shfryjnë taksistët: Bashkia na ka braktisur Tiranë Dhjetra taksistë kanë protestuar paraditen e sotme para Bashkisë...
- Përleshje në San Paulo të Brazilit, policia dëbon me mijëra shtetas Brazil- Policia braziliane kreu një operacion masiv kundër një vendbanimi...