Specialistët e shëndetit: Ndotja e ajrit, dyfish mbi normën
Ndotja në Gjirokastër sidomos e ajrit po kap shifra dy herë më të larta se norma e lejuar. Alarmi vjen nga specialistët e Drejtorisë së Shëndetit Publik. Mendohet se shkak i ndotjes së mjedisit në përgjithësi, është mungesa e theksuar e investimeve në kanalizime. Mungesa e kolektorëve sjell herë pas here shpërthimin e ujërave të zeza të cilat janë problem në disa lagje të qytetit.
Ndotja është më tepër e pranishme në lagjet Zinxhira, Palorto, Granicë, Varosh duke mos përjashtuar edhe lagjen më të madhe të qytetit 18 Shtatori ku jetojnë rreth 20 mijë banorë diçka më tepër se gjysma e numrit total i banorëve që jetojnë në qytetin e gurtë. Ujrat e zeza dhe veçanërisht avullimi i gazrave në temperaturat e stinës, bëjnë që ndotja e ajrit të jetë dyfishi i normës së lejuar kanë pohuar për gazetën SOT specialistët e Drejtorisë së Shëndetit Publik në Gjirokastër. Por përkundër kësaj situate që kërkon për normalizimin fonde të konsiderueshme, instrumentet shtetërore që varen direkt nga qeverisja qendrore siç mund të jetë Inspektoriati i Mjedisit apo hallkat e nivelit të dytë të qeverisjes vendore, qëndrojnë mjaft indiferente karshi këtij fenomeni dhe më e keqja nuk po marrin as masën më të vogël për të minimizuar pluhurin. Nga ana e vet Bashkia e Gjirokastrës ka mundur të minimizojë sadopak këtë situatë me ndihmën e një autoboti që spërkat rrugët kryesore të qytetit me ujë në orare të ndryshme. Sipas ligjit shëtitoret e mëdha ku hyn edhe bulevardi qëndror në lagjen 18 Shtatori, duhet të lagen tre deri në katër herë në ditë cka realizohet deri tani. Niveli i lartë i pluhurave në atmosferë ka shtuar madje edhe rastet me sëmundjet bronkiale në Gjirokastër. Vetëm gjatë katër muajve të para të këtij viti, janë konstatuar me sëmundje në aparatin respirues, mbi 40 persona më tepër se vitin e kaluar. Ndërkohë Drejtoria e Shëndetit Publik ka bërë fajtor për këtë gjendje Bashkinë e Gjirokastrës e cila sipas tyre nuk ka reaguar duke ndikuar në përmirësimin e cilësisë së ajrit, ndërkohë që kjo është përgjegjësi e Inspektoriatit Mjedisor por duke ditur se krerët e këtyre dy drejtorive rajonale i përkasin forcës politike qeverisëse në vend, më të lehtë e kanë pasur të targetojnë Bashkinë e Gjirokastrës e cila drejtohet nga socialistët. Nga ana tjetër në lagjen e romëve Zinxhira janë shtuar rastet me hepatite virale.