E Diel, 1 Nëntor 2026

Kroatët rrëmbejnë kupën e festivalit Aulona International Folk Festival

Festivalit Aulona International Folk Festival u zhvillua në skenën verore pranë stadiumit të qytetit të Vlorës. Mes grupeve të shumtë pjesëmarrëse kupën festivalit e rrëmbeu grupi kroat Zeljezniçar. Juria e kryesuar nga prof. Fatmir Hysi vlerësoi performancën e këtij grupi, vallet e interpretuara, të cilat reflektuan traditat folklorike të kësaj zone. Shfaqja e ansamblit Zeljezniçar" nga Kroacia u pëlqye nga artdashësit vlonjatë. Ky vlerësim për grupin kroat  pason atë të vitit 2006 në Kinë, kur ai meritoi disa çmime në "Champion of the world choir games", ndërsa ka fituar dhe mjaft trofe në festivale të ndryshme si në Britaninë e Madhe, Austri, Norvegji, Gjermani , "Argjiro 2008 (Gjirokastër). Ndërkohë, me çmimin e parë u nderua grupi i Shkupit (Maqedoni), me çmimin e dytë Ansambli Tirana dhe të  tretin Ansambli Meçovo(Greqi). Çmimin Special të Bashkisë së Vlorës e mori Ansambli Shote Galica nga Drenasi i Kosovës, ndërkohë që Çmimin Special të Qendrës Kulturore Bilbilat e Jugut, organizatore e festivalit, ansambli Burimet e Sharrit" nga Maqedonia. Nata e fundit e këtij aktiviteti zgjati më shumë se dy orë dhe u ndoq nga qindra qytetarë dhe drejtues të pushtetit vendor. Të parët në skenë u ngjitën artistët e Meçovo, më pas vallja çame e shoqëruar nga valltarët e Gumenicës, ndërkohë që grupi i Malit të Zi u prezantua me vallen e traditës. Festivali Aulona International Folk Festival" i bashkohet dy aktiviteteve të tjera të ngjashme që zhvillohen në Vlorë, mes të cilave Festivali Foklorik Mesdhetar dhe Festivali Kombëtar i Isopolifonisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›