E Shtunë, 31 Tetor 2026

Specialisti: I nxehti ul reflekset, rritet mundësia për aksidente

TIRANE - I nxehti rrit rrezikun për aksidente rrugore, pasi ai shkakton luhatje të parametrave në organizmin e njeriut". Pohimi vjen nga specialisti i departamentit të promocionit, pranë Institutit të Shëndetit Publik, Boris Miska. Në këtë intervistë, dhënë për "Gazeta Shqiptare", specialisti shpjegon se çfarë ndodh me shëndetin gjatë një udhëtimi, ndërsa jep një sërë këshillash që ndikojnë në evitimin e aksidenteve, gjatë sezonit veror.
Z.Miska, nga statistikat vihet re se në stinën e verës kemi rritje të riskut të aksidenteve. Pse ndodh kjo?
Është e vërtetë që në këtë periudhë për shumë arsye, që lidhen me motin, por edhe me faktorë të tjerë kemi një intensifikim të ngjarjeve jo të këndshme në trafikun rrugor. Duhet thënë se për shkak të sezonit turistik rritet fluksi i qarkullimit në rrugët tona, numri i mjeteve motorike pëson një rritje të ndjeshme, kemi përqendrim të tyre kryesisht në qytete turistike bregdetare si: Vlorë, Durrës, Shëngjin, Sarandë etj. Akse që kanë për destinacion këto zona turistike mbingarkohen, gjë që shpesh shoqërohen me probleme, të cilat ndikojnë tek udhëtarët e sidomos te drejtuesit e mjeteve.
Më konkretisht çfarë faktorësh ndikojnë në përkeqësimin e gjendjes në trafik, në qoftë se mund t'i quajmë kështu?
Të gjithë faktorët që unë do rendis, por edhe të tjerë mund të kenë impakt negativ dhe krijojnë kushte për shtimin e rreziqeve të mundshme për të shkaktuar aksidente rrugore. Vetë temperaturat e larta përbëjnë rrezik potencial për ngjarje tragjike në rrugë. Gjatë lëvizjes me mjete, në këmbë apo edhe me biçikleta në kushte të të nxehtit të madh vërehen luhatje të parametrave në organizmin e njeriut: Kemi dobësim fizik, turbullim të shikimit, luhatje tensioni, plogështi, humbje lëngjesh, djersitje, reflekset humbasin vlerat e tyre, vëmendja nuk është ajo e mëparshmja.
Po në lidhje me kushtet teknike të automjetit?
Po, edhe kjo ndikon pasi në verë automjeti punon në kushte më të vështira, gomat mund të pësojnë çarje, asfalti bëhet më i rrezikshëm (nga të nxehtit krijohen imazhe që turbullojnë shikimin).
Çfarë rekomandoni ju si specialist për të parandaluar ose shmangur këta faktorë risku gjatë lëvizjeve në trafik? Kjo për këmbësorët dhe për drejtuesit e mjeteve...
Ne apelojmë për kujdesin që duhet të tregohet gjatë udhëtimit. Drejtuesit e mjeteve duhet të respektojnë shpejtësinë, asnjëherë mbi normat e lejuara nga Kodi Rrugor dhe në respekt të tabelave sinjalizuese. E them këtë sepse shumë njerëz, nga dëshira për të prekur sa më parë destinacionin turistik, rrëmbehen gjatë udhëtimit, bëjnë gabime që u kushtojnë rëndë (me jetë apo të lënduar. Mos harrojmë për asnjë moment se po shkojmë diku për të kaluar pushimet, rruga është ajo që na ndihmon ta realizojmë atë, mjeti është në funksion të këtij qëllimi dhe jo të marrim mbi vete goditje që nuk mund të riparohen për gjithë jetën.
Disa këshilla më konkrete?
E rëndësishme është që të përdorim gjatë udhëtimit sa më shumë lëngje, ujë të freskët, pije freskuese, çaj të ftohtë. Në asnjë moment nuk duhet të përdorim alkool apo substanca të tjera të rrezikshme gjatë udhëtimit. Veprimi i tyre në kushtet e temperaturave të larta është i pa parashikueshëm. Gjithashtu, duhet të evitojmë udhëtimet e gjata, pa ndalesa, të bëjmë herë pas here ndalesa në vende të freskëta, me hije, ujë të ftohtë etj. E rëndësishme është të përdorim kondicionerin e në kushte mungese të udhëtojmë me xhama të ulura, të përdorim veshje të lehta, si për vete ashtu edhe për fëmijët. Sa i takon mjetit, duhet të kontrollojmë gjendjen teknike të tij para nisjes, niveli i fryrjes së gomave, nivelin e ujit në motor etj. Asnjëherë nuk duhet të vijojmë udhëtimin direkt pas ngrënies së vaktit drekë.
Pse nuk duhet të udhëtojmë pas ngrënies?
Kjo këshillohet pasi pas ngrënies ulen parametrat në organizëm, kemi luhatje tensioni, përgjumje, ulje të vëmendjes, plogështi, ndërsa reflekset humbasin vlerë. Gjithmonë duhet të rinisim udhëtimin pas një pushimi të shkurtër 30-45 minuta.
Diçka tjetër për të shtuar?
Vendosni rripin e sigurimit, siguroni fëmijët në vende të pasme të mjetit, ndërsa ata që nuk kanë arritur moshën duhet të sistemohen në ndenjëse të posaçme dhe të sigurta.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›