E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau gruan në mes të rrugës, Genci Çarçani sot në gjykatë

TIRANE - Genci Çarçani, 48-vjeçari që goditi me thikë për vdekje ish-bashkëshorten, do të përballet sot me Gjykatën e Krimeve të Rënda, për t'u njohur me masën e sigurisë. Për shkak të ndryshimeve të bëra në Kodin Penal që kanë hyrë në fuqi, të dyshuarit për krime brenda familjes do të hetohen e gjykohen nga Krimet e Rënda.

Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, thanë se ndaj Çarçanit është ngritur akuza sipas nenit 79/c ku parashikohet vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare. Sipas këtij neni i dyshuari rrezikon të dënohet me burgim jo më pak se 20 vite, ose me burgim të përjetshëm. 48-vjeçari Çarçani i mori jetën ish-gruas së tij me të cilën kishte lidhur kurorë që prej vitit 1998 dhe mandej ishte divorcuar dy vite më parë në mes të rrugës, teksa e goditi katër herë me thikë.

Ngjarja e rëndë u regjistrua në rrugën "Tefta Tashko Koço", teksa viktima Valbona Çarçani po kthehej në shtëpinë që kishte me qira, pas një shëtitje me qenin. Genci Çarçani u tha hetuesve se "gruaja ma ka nxirë jetën ndaj e vrava". Mosmarrëveshjet mes çiftit që një periudhë të gjatë kohe kishin jetuar në Itali ishin shfaqur prej shumë vitesh, kur u kishte vdekur djali i vetëm 4 vjeç, por vitet e fundit ishin bërë dhe më të forta, derisa Valbona Çarçani kërkoi divorcin, që u firmos nga gjykata në 2011. Policia tha zyrtarisht se krimi ndodhi për motive xhelozie.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›