Uejn Runi, deri në katër javë pushim
Uejn Runi do të qëndrojë nga dy deri në katër javë jashtë fushave të lojës, pas ndrydhjes në kavilje që pësoi në sfidën me Bajernin e Mynihut. E gjithë Anglia ka mbajtur frymën për gjendjen e yllit të “Tre Luanëve” dhe të Mançester Junajtid, i cili iu nënshtrua rezonancës magnetike për të vlerësuar shkallën e dëmtimit në sfidën e humbur 2-1 në “Alianz Arena”. Runi, që me rrjetën e realizuar vetëm pas 66 sekondave në çerekfinalen e parë të Champions League arriti kuotën e 34 golave në këtë sezon, u ndihmua nga stafi mjekësor që të dilte nga fusha, ndërsa nga stadiumi u largua me paterica. Pamjet filmike treguan se sulmuesi kishte ndrydhur kaviljen e këmbës së djathtë pas një kërcimi në ajër, duke frikësuar Sër Aleks Ferguson, por edhe Fabio Kapelon. Diagnoza fillestare ka larguar frikën e Kombëtares angleze dhe të tifozëve, që e shohin Runin si një element kyç në ëndrrën për të triumfuar në Botërorin 2010. Sot lojtari do t’i nënshtrohet një tjetër vizite mjekësore, për të mësuar diçka më të saktë rreth problemit. Gjithsesi, nuk ka asnjë dyshim që Junajtid do t’i vuajë pasojat e këtij dëmtimi. “Djajtë e Kuq” nuk do të kenë në dispozicion lojtarin më të mirë në periudhën më delikate të sezonit, ku do të kërkojnë kualifikimin në gjysmëfinalet e Champions League dhe kanë “sprintin” final drejt titullit në Premiership. Në fakt, të shtunën në mesditë ata do të presin në “Olld Traford” rivalët e çelsit, të cilët kanë vetëm një pikë më pak në klasifikim.
Runi pritet të mungojë në transfertën me Bllekbërnin, më 11 prill, ndërsa i vështirë duket rikuperimi i tij për derbin me Mançester Sitin në “Istlands” dhe për përballjen e 24 prillit me Totenhamin. Kjo do të bënte që 24-vjeçari të luante vetëm në sfidat me Sandërlendin dhe Stok Sitin, përpara se të përqendrohet tek Anglia, për Kupën e Botës në Afrikën e Jugut. Pas humbjes me Bajernin, mesfushori Darren Fleçer theksoi se mungesa e Uejn Runit do të ketë peshë, por shprehu besim se sulmuesit e tjerë janë në gjendje ta plotësojnë boshllëkun. “Kjo është një humbje e madhe, pasi Uejn ka zhvilluar një sezon fantastik, tha Fleçer. Nuk ka dyshim që ai është një prej lojtarëve më të mirë në botë”.