E Diel, 1 Nëntor 2026

Spektakël në derbi, Siti shumë pranë një ëndrre

ANGLI - Mançester Siti është kryesuesi i ri i Premier Ligës Angleze. Derbi ndaj Mançester Junajtid, i luajtur mbrëmë në stadiumin “Etihad”, i ka shkuar skuadrës së Mançinit, që tashmë e sheh veten shumë pranë ëndrrës së madhe. Një ëndrre, për të cilën tifozët e Sitit kanë festuar si të çmendur në përfundim të përballjes me rivalët e përjetshëm. Derbi i mbrëmshëm, një nga më të nxehtit e historisë, ka dhuruar emocione dhe spektakël, por edhe një betejë vërtetë futbollistik e nervash. 

Në fund, ka qenë Mançester Siti që ka marrë 3 pikët, duke bërë një hap gjigand drejt trofeut më të rëndësishëm në Angli. Gjithcka e merituar për ekipin e Mançinit, që e ka dominuar ndeshjen dhe ka kërkuar fitoren nga fillimi në fund. Ndërkohë, Junajtid ka menduar të shkëpusë një barazim në këtë sfidë, por këtë herë taktika e Aleks Ferguson ka rezultuar e gabuar. Mbeten edhe 180 minuta për t’u luajtur, me Sitin që ka dy ndeshje më të vështira se “Djajtë e Kuq”, por që duke parë formën e kësaj skuadre, duket e vështirë që ajo të gabojë. Të dielën e ardhshme, ekipi i Mançinit do të luajë në transfertë ndaj Njukasëllit, në atë që konsiderohet si beteja më e vështirë në luftën drejt trofeut kryesor. Në javën e fundit, “Citizens” do të presin në shtëpi QPR-në. Ndërkohë, një rrugë më e lehtë për Junajtid, që do të ndeshet me Sandërlendin dhe Suonsin.

Derbi
Ndeshja e mbrëmshme ka nisur nën dominimin e Mançester Sitit, ndërsa Junajtid ka shtrënguar mirë radhët në mbrojtje. Shpesh edhe Runi e Nani duket sikur luanin në repartin difensiv. Për këtë arsye, loja Mançester Sitit ka rënë më shumë në sy. Megjithatë, nuk ka qenë e lehtë të shënoje në portën e De Geas. U deshën disa mundësi dhe 6 goditje këndi që ekipi i Mançinit të realizonte. Në minutën e parë shtesë, Vinsent Kompani kërceu më lart se të gjithë në zonë, duke mposhtur me kokë portierin De Gea. Një gol që i dha start festës në stadium, me Sitin që ka merituar çdo gjë. Në pjesën e dytë, loja ndryshoi tërësisht, duke u kthyer në një superbetejë mes dy superskuadrash. Siti megjithatë është mbrojtur mjaft mirë, duke kundërsulmuar rrezikshëm me Aguero e Nasri. Jaja Ture me dy goditje jashtë zone dhe Aguero me një rrjetë të jashtme patën rastet më të mira për “Citizens”, ndërsa Nasri nuk arriti të godiste në një rast të artë në zonë. Ndeshjes nuk i kanë munguar edhe nervat, me Ferguson dhe Mançinin që janë ndarë vetëm nga pjestarët e dy stafeve dhe njerëzit e sigurisë. Një moment që tregoi rëndësinë e kësaj sfide, e cila u mbyll me fitoren e madhe të Mançester Sitit.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›