E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spektakël pa gola në Milano, fiton Bajerni

Mesi dhe Nesta gjatë dyluftimit të djeshëm, Gomez e Riberi pas golit të parë ndaj Marsejës

Kupa e Kampioneve/ Bavarezët me një këmbë në gjysmëfinale.

Milani ndal Barcelonën, gjithçka e hapur për sfidën e kthimit.

Milani dhe Barcelona kanë barazuar në sfidën e parë në Milano, duke e lënë çështjen e kualifikimit për në “Camp Nou”, ndërsa Bajerni i Mynihut ka fituar në “Velodrome” përballë Marsejës duke bërë një hap të sigurt drejt gjysmëfinaleve. Spektakël, por pa gola. As Barcelona, as Milani nuk arritën që të shënonin në takimin e parë të luajtur në “San Siro”, ku siç pritej, spanjollët dominuan si në mbajtjen e topit, edhe në raste. Pa Fabregas dhe vetëm me Mesin e Sançez përpara, Barça tentoi disa herë që të kalonte topin përtej Abiatit, por në asnjë rast nuk ai arriti, kjo më së shumti për një mbrojtje shumë të kujdesshme të kuqezinjve. Edhe pse në fushë nuk ishte Tiago Silva (i dëmtuar), dyshja Nesta-Mekses, e ndihmuar edhe nga Bonera, në superformë në ndeshjen e mbrëmshme, zhvlerësuan të gjitha sulmet e nisura nga fantazia e Ksavit dhe të Iniestës. Nga ana tjetër, Milani tentoi në pak raste që të shfrytëzonte gjigantin Ibrahimoviç dhe Robinjon me Boatengun, por këta dy të fundit, të rikthyer nga një dëmtim, nuk ishin në gjendjen më optimale. Kjo e detyroi trajnerin Alegri që t’i zëvendësonte që në fraksionin e parë të pjesës së dytë. Me këtë barazim, ndeshja e kthimit bëhet edhe më interesante, pasi Barcelonës i nevojitet me patjetër fitorja për t’u kualifikuar, ndërsa Milanit do t’i bënte punë edhe një barazim me gola. Sakaq, është me një këmbë në turin tjetër të Kupës së Kampioneve Bajerni i Mynihut. Gjigantët gjermanë arritën të dominonin dhe fitonin në fushën e Marsejës falë golave të Mario Gomez dhe Arjen Roben. Holandezi ishte ndër më të mirët në fushë, duke sfumuar në një farë mënyre edhe të rikthyerin në shtëpi, Frenk Riberi. Francezi u prit me fërshëllima në “Velodrome” edhe pse për Marsejën ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm kur luante për këtë skuadër para tri sezoneve. Fra-ncezët, edhe pse kishin pohuar se do t’ua bënin ferr gjermanëve, realisht nuk arritën të ishin qoftë edhe një herë të vetme konkretë aq sa duhej për të mposhtur gardianin Manuel Nojer.

Milan-Barcelona 0-0
Shënues: S’ka
Kartonë të verdhë: Sedorf, Nesta, Ambrosini/ Keita
Milan: Abiati, Bonera, Nesta (Mesbah 74′), Mekses, Antonini, Noçerino, Ambrosini, Sedorf, Boateng (Emanuelson 67′), Robinjo (El Sharaui 52′), Ibrahimoviç. Trajner: M.Alegri
Barcelona: Valdes, D.Alves, Pike, Pujol, Maskerano, Ksavi, Buskets, Keita, Mesi, Sançez (Pedro 76′), Iniesta (Telo 65′). Trajner: P.Guardiola

Marsejë-Bajern 0-2
Shënues: Gomez 44′, Roben 70′
Kartonë të verdhë: A.Diarra, M’Bia/ Lahm, Kros, Luiz Gustavo, Alaba, Shvajnstaiger
Marseja: Andrade, Azpilikueta, Fani, N´Koulou, Morel, A.Diarra (Sherru 71′), M´Bia, Amalfitano (Bradao 68′), Valbuena, Ajev, Remi. Trajner: D.Deshamp
Bajern: Nojer, Lahm, Boateng, Badshtyber, Alaba, Luiz Gustavo, Kros (Timoshuk 63′), Roben, Myler (Shvajnstaiger 71′), Riberi (Pranjiç 78′), Gomez. Trajner: H.Hejnkes

LEONARD KARAJ

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›