E Shtunë, 31 Tetor 2026

Princesha Mathildë e Belgjikës, në Tiranë. Interes për shëndetësinë

Princesha Mathildë e Belgjikës dhe ministri i Shëndetësisë Vasili

Ka mbërritur në Tiranë për një vizitë treditore, princesha e Fronit të Belgjikës, Mathildë, pas një ftese të bëra nga kreu i Ministrisë së Shëndetësisë, Petrit Vasili. Fokusi i aktiviteteve ku do të marrë pjesë princesha duket të jenë ato në fushën e shëndetësisë dhe veçanërisht ajo që lidhet me sistemin e imunizimit. Gjatë ditës së djeshme princesha pati takim me ministrin Vasili, ku u njoh edhe me detajet specifike mbi ecurinë e këtij sistemi në vendin tonë, si dhe me projektet që po zbatohen aktualisht. Gjatë këtij takimi ajo shprehu interes për të prekur nga afër situatën duke u takuar edhe me punonjësit e Kujdesit Shëndetësor. Po pres me padurim për tu takuar me punonjësit e Kujdesit Shëndetësor dhe për të dëgjuar përvojat e tyre. Unë dua të njihem me sfidat me të cilat ata përballen si dhe me mënyrën se si ata komunikojnë me prindërit rreth imunizimit. Është e një rëndësie jetike mbështetja dhe motivimi i prindërve për imunizimin e brezave të ardhshëm. Por, nga ana tjetër, ne duhet tu japim punonjësve të shëndetësisë mbështetjen që u nevojitet për ta kryer këtë proces në mënyrë efektive, u shpreh princesha Mathildë në takimin e djeshme. Nga ana tjetër, ministri i Shëndetësisë, Petit Vasili, e ka cilësuar vizitën e princeshës si një vlerësim dhe rikonfirmim të arritjeve të deritanishme të vendit tonë në sistemin e vaksinimit dhe ndaj punës së punonjësve të shëndetësisë, roli i të cilëve është i pazëvendësueshëm në programin kombëtar të imunizimit. Në ditën në vijim, në axhendën e princeshës së Fronit të Belgjikës janë parashikuar edhe një sërë aktivitetesh, si takime me punonjësit e Kujdesit Shëndetësor, vizita në disa qendra të kujdesit parësor si dhe pjesëmarrja në një tryezë të rrumbullakët pune në qytetin e Shkodrës mbi vaksinimin dhe sfidat me të cilat përballen punonjësit shëndetësorë në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›