Xhani de Biazi: Juventus, merr Roshin!

Xhani de Biazi
Trajneri i Kombëtares sponsorizon mesfushorin: I vetmi shqiptar që mund të përshtatet.
“S’jam vendosur ende në Shqipëri, sepse udhëtoj vazhdimisht”
Xhani de Biazi u ka sugjeruar në distancë gjigantëve të Juventusit që të hedhin sytë nga Odise Roshi, sepse talenti fierak ka parametrat e duhur që në të ardhmen të luajë me bardhezinjtë. Në një intervistë të dhënë për uebsajtin juventin “TuttoJuve. com”, trajneri i Shqipërisë ka bërë një analizë të shkurtër të situatës në të cilën ndodhet përfaqësuesja shqiptare dhe për objektivat që ai i ka vënë vetes. “Ndihem mirë në Shqipëri. Po bëj gjithë atë punë dhe sërish më duhet të udhëtoj shumë për të parë nga afër futbollistë të ndryshëm. Herën e fundit, për shembull, unë isha në Ukrainë. Për këtë arsye nuk jam vendosur ende në Shqipëri, pra nuk jam stacionuar ende aty. Jam gjithë kohën duke udhëtuar drejt Zvicrës, Italisë, ose drejt ndonjë vendi tjetër ku luajnë futbollistë të ndryshëm shqiptarë, ndaj edhe e kam pasur të pamundur të qëndroj në një vend. Shumë shqiptarë të talentuar kanë zgjedhur kombësi të tjera. Kanë zgjedhur Zvicrën kryesisht ose Finlandën. Po ju kujtoj dy vëllezërit Hetemaj, që luajnë të dy në Itali dhe që janë futbollistë të mirë. Gjithsesi, është e qartë se çdo njeri bën zgjedhjen që i duket më e mirë në jetën e tij dhe vendos të përfaqësojë vendin që i duket më i përshtatshëm. Unë nuk mund t’i gjykoj ata”, ka pohuar tekniku i kuqezinjve. Më pas ai ka sponsorizuar emrin e Roshit, si një lojtar që mund të luante shumë mirë si në kampionatin italian, por pse jo, edhe te Juventusi. “Gjithçka varet nga karakteristikat e skuadrës. Megjithatë, mendoj se nuk ka ndonjë lojtar të përshtatshëm për Juventusin. Ose mund të jetë njëri. E kam fjalën për Odise Roshin, që luan si mesfushor krahu dhe është në pronësi të Këlnit. Është i datëlindjes 1991 dhe ka të dhëna shumë të mira”, ka thënë De Biazi. Në fund, tekniku i Kombëtares shqiptare ka bërë edhe një analizë të kampionatit italian, duke qenë se mbetet një prej analistëve më të rregullt të televizionit “Sky calcio”. “Juvenuts-Napoli? Bëhet fjalë për dy skuadra që kanë ecur shumë mirë këtë sezon. Mazarri ka avantazhin që punon prej një kohe të gjatë me të njëjtin grup lojtarësh dhe ka më shumë siguri në çdo gjë që bën. Konte gjithashtu ka një meritë të madhe sepse e ka bërë Juventusin një skuadër më të fortë dhe shumë më të qëndrueshme. Megjithatë, ai ka edhe meritën që e ka bërë Juven një skuadër elastike që mund të ndryshojë thuajse në perfeksion skemën nga 3-4-3 në 4-4-2. Problemi i vetëm i tiji ka qenë pjesa ofensive. Juventusi shpesh nuk ka fituar se nuk ka shënuar”, ka përfunduar De Biazi.
Djali i Strakoshës te Lacio
Djali i Foto Strakoshës firmos për klubin italian të Lacios. Lajmi është publikuar dje në gazetat prestigjioze italiane, por edhe ato greke. 17-vjeçari shqiptar, Thomas Strakosha, i biri i ish-portierit të shquar të Kombëtares shqiptare, ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me skuadrën bardhekaltër. Sipas mediave italiane, drejtori sportiv i Lacios, shqiptari Igli Tare, ka qenë njeriu që ka këmbëngulur për afrimin e portierit 17-vjeçar. Në lojë ka qenë edhe Roma, por Strakosha Junior ka firmosur zyrtarisht për klubin rival të verdhekuqve. Portieri ka qenë pjesë e ekipit të moshave të Panioniosit në Greqi gjatë viteve të fundit. Strakosha Junior ka lindur në shtetin helen dhe hapat e parë të futbollit i ka marrë në akademinë e Panioniosit, nga ku më parë është aktivizuar Foto Strakosha.