Spiro Koleka vrau qindra njerëz në Maliq, Rama - Koleka i ri, premtoi se do gjejë grup armiqësor
Në vendin ku vdiqën qindra njerëz në komunizëm, sipas skenarit të ndërtuar nga Spiro Koleka, nipi i tij Edi Rama foli dje për krijimin e kushteve për denoncimin e një grupi të ri armiqësor. Duke kujtuar kënetën e Maliqit dhe fantazmën e rikthimit të saj, Edi Rama u përkujdes të respektonte Dosjen e Spiro Kolekës, duke folur si ai, për luftë klasash kundër demokratëve dhe për ndikim të keq të SHBA-së dhe të forcave të NATO-s
Bash në vendin që u bë sebep për të marrë jetë njerëzore, Edi Rama tregoi se i zbaton porositë e Spiro Kolekës edhe kur ky i fundit na ka lënë nga kjo botë. Doli edhe një herë tjetër që Spiro është një baba shpirtëror i kryetarit të PS-së.
Nuk mund të ndodhte ndryshe me Edi Ramën e “rilindjes” pasi në Maliq ai nuk mund të rrinte pa kujtuar kënetën e Maliqit. Dhe jo më kot pasi kjo lidhet me dajo Spiron. Ishte ky në krye të inskenimit që u përdor për të dënuar inxhinierët e për të thënë se Amerika merrej me këto gjëra, pra Amerika e madhe e kishte mendjen te një kënetë si ajo e Maliqit. Dajo Spiro në atë kohë detyroi edhe inxhinierët e Ministrisë së Punëve të Botore të nënshkruanin një peticion kundër kolegëve të tyre. Ky peticion i zi është botuar edhe në albumin e Sigurimit të Shtetit, në pjesën kur bëhej fjalë për “sabotatorët e Maliqit”. Dajo Spiro u lodh aq shumë për të “provuar” sabotimin në Maliq saqë me një varkë të denjë për ujëra të llojit “kallamishte dhe baltë” i ra cep më cep kënetës për të dalë në fotografi e për të provuar atë që kishte nisur ta bënte sipas porosisë së partisë.
Gjatë vitit 1946, qeveria komuniste çoi në plumb e në trekëndëshin e litarit me skena makrabre mesjetare trupën më të mirë të inxhinierëve që kishte në atë kohë Shqipëria, mes të cilëve edhe një grua. Studiot filmike të Beogradit u treguan të gatshme të filmonin skenat kur para një populli të indoktrinuar, helmuar e eksituar për gjak, pushkatoheshin të lidhur si bagëti Vasil e Zyrika Mano, Eugenio Scaturo; ndërsa në litar vareshin Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri. Të tjerë u dënuan me shumë vite burgim duke punuar në kampet më të tmerrshme të komunizmit. Ky proces u bë shkak që të largohej edhe misioni amerikan nga Shqipëria sepse qeveria komuniste e akuzoi atë si organizues të “sabotimeve” për tharjen e kënetës e cila u tha në të vërtetë shumë vite më pas me punën e të burgosurve politikë të vendit. Procesi i Maliqit, i nisur në 8 nëntorin e vitit 1946 e i sosur 10 ditë më vonë, kishte si regjisor të parë një njeri zemërzi si ministri i Punëve Botore Spiro Koleka.
Maliqi shërbeu si vend i zi ku humbën jetën qindra të dënuar politikë të cilët vuanin dënimin “nëpërmjet punës” për të hapur kanalet nga ku do kalonte uji i kepëtës. Në atë kënetë të vdekjes janë akoma të pagjetura eshtrat e sa e sa të dënuarve.
Edhe Rama kur kthehet te vendi i krimit, kërkon akoma “sabotatorë”. Ai dje nuk kërkoi as më pak e as më shumë, por gjetjen e “sabotatorëve” të rinj sipas “amanetit” të dajo Spiros, amanet i cili është “rilindja” e tij.