Genc Pollo: “Edi Rama mbajti peng statusin e vendit kandidat për në BE”
Prezantohen në komunën Kutalli kandidatët e PD-së për Qarkun e Beratit
Kryesuesi i listës së PD-së në qarkun e Beratit, Genc Pollo, prezantoi në komunën e Kutallisë të rrethit të Beratit kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike në këtë qark në një takim të organizuar me mbështetës dhe simpatizantë të PD-së në këtë komunë. Gjatë fjalës së tij ministri dhe deputeti Pollo tha se Edi Rama dhe Partia Socialiste kanë votuar kundër çdolloj projekti madhor të këtij vendi ashtu siç kanë votuar kundër çdolloj investimi infrastrukturor edhe për komunën e Kutallisë. Këto projekte dhe investime, - ka thënë më tej Pollo, - janë në dobi të komunitetit, pa dallime bindjesh partiake, ato janë sot funksionale vetëm në sajë të meritës dhe punës së Partisë Demokratike. Gjatë fjalës së tij Pollo është ndalur edhe në diferencat midis programeve të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, duke akuzuar gjatë fjalës së tij edhe kryesocialistin Rama për atë që Pollo e quajti mbajtje peng të vendit për marrjen e statusit kandidat për në BE. “Ne jemi për taksën e sheshtë, që do të rritet sipërmarrja, do të rritet punësimi; Edi Rama është për taksë progresive dhe taksa të larta, që t’i marri frymën sipërmarrjes, t’i marrë frymën biznesit dhe do uli punësimin. Ne jemi për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, sepse ka shumë e shumë të mira, përfshi edhe 200 miliardë euro investime në bujqësi, në rrugë, në shkolla, në subvencione. Ne kemi votuar për këtë vazhdimisht, Edi Rama statusin e vendit kandidat e mbajti peng për 230 ditë, nuk e votoi, vetëm e vetëm që ta bënte të dështonte se kishte frikë se fitonte qeveria, Sali Berisha dhe Partia Demokratike”. Më tej Pollo ka thënë se ne kërkojmë për integrimin evropian dhe të gjithë avantazhet që shqiptarët kanë nga ky proces, kanë nga marrja e vendit të statusit kandidat, kanë nga ecja jonë përpara, le të votojnë më 23 Qershor për Partinë Demokratike, për Nr. 44. Atë që Edi Rama nuk e bëri në Kuvend, bëjeni ju në kutitë e votimit në Kutalli, në Goriçan, në Samaticë, në Berat dhe në të gjithë Shqipërinë, - theksoi Pollo.