E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spiro Peçi: Shkarkimi i Ina Ramës në nëntor, antiligjor

Çdo veprim për largimin nga detyra të Ina Ramës në nëntor të këtij viti do të ishte i kundërligjshëm, sipas juristit Spiro Peçi.

Këshilltari ligjor i ish-presidentit Topi, që emëroi në këtë detyrë Prokuroren e Përgjithshme 5 vite më parë, në një intervistë për AS thotë se këtë rast do të bëhej fjalë për shkarkim, e për një hap të tillë, maxhorancës i duhet të faktojë shkeljet e Ramës.

Ndërmarrja e veprimeve për ta konsideruar një mbarim të mandatit në nëntor të këtij viti meqenëse është emëruar në nëntor të vitit 2007, nuk do të ishte largim për shkak të mbarimit të mandatit, por do të ishte një shkarkim nga detyra, që pë mua do të ishte i paligjshëm. Efektivisht Kushtetuta e ka të përcaktuar kur mund të shkarkohet një Prokuror i Përgjithshëm para mbarimit të mandatit. Mund të shkarkohet me kërkesë të Kuvendit e miratim nga Presidenti, kur ka shkel Kushtetutën, kur ka shkelur rëndë ligjin e kur ka kryer veprime që cenojnë rëndë figurën e Prokurorit të Përgjithshëm, deklaron Peçi.

Ish-ministri i Drejtësisë shprehet i bindur në faktin se llogaritja e mandatit 5-vjeçar të Prokurores së Përgjithshme fillon që në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese të 2008-s.

Llogaritja e mandatit për Prokuroren që është sot në detyrë bëhet nga data që ka hyrë ligji deri kur mbushet 5 vjet dhe 5 vjet i mbush sipas ndryshimeve të Kushtetutës, në maj të vitit 2013, sqaron Peçi.

Ai mendon se beteja për largimin në nëntor apo në maj të Prokurores së Përgjithshme aktuale, do të pasohet në Gjykatën Kushtetuese.

Prokurorja e Përgjithshme mund ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese por jo pa dalë vendimi i largimit të saj sepse efektivisht nuk janë cenuar deri më sot ato marrëdhënie pune që ajo ka në bazë të Kushtetutës së vjetër. Personi që mund të jetë emëruar duhet ti lirojë vendin Prokurores se Përgjithshme që padrejtësisht mund të lirohet nga detyra në muajin nëntor, u shpreh Peçi.

Në mënyrë të përsëritur maxhoranca aktuale ka bërë të qartë se në nëntor të këtij viti Prokurorja e Përgjithshme duhet lirojë karrigen.

Një skenar i mundshëm nëse ajo arrin të qëndrojë në detyrë deri në maj të 2013-s, është shpërndarja e Parlamentit në këtë muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, e si rrjedhojë, zëvendësimi i saj i mbetet detyrë në shtator Parlamentit të ri të dalë nga këto zgjedhje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›