Qeveria mund të anulojë tenderin për Albpetrolin
Qeveria shqiptare mund të anulojë tenderin për shitjen e kompanisë shtetërore Albpetrol. Lajmin e bën të ditur e përditshmja Panorama, e cila thekson se kjo ide po qarkullon në ambientet qeveritare.
Për më tepër, në vendimin e përgatitur për shitjen e Albpetrolit, thuhet se qeveria mund të anulojë tenderin pa dhënë asnjë shpjegim për kandidatët. Në pikën 8 të vendimit thuhet se qeveria në çdo kohë, përpara shpalljes së fituesit, mund të anulojë procedurën e tenderit pa u dhënë asnjë argument kandidatëve.
Në këtë mënyrë duket se qeveria i ka paraprirë një procesi që do e vendoste atë përpara faktit të kryer.
Ende nuk dihet se cili do jetë qëndrimi i qeverisë, ndërkohë që ofertat janë të vlefshme për 120 ditë.