Spiropali: Pasaporta evropiane, një agjendë konkrete për qytetarët shqiptarë

Në mbledhjen e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, mbajti një fjalim të rëndësishëm për prioritetet sektoriale të Ministrisë për vitin 2026. Ajo theksoi se ky vit është një moment kyç në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar si një “libër me shumë vëllime”, ku Shqipëria ka kaluar nga një vend i margjinalizuar në arenën ndërkombëtare në një aktor me dinjitet dhe me ndikim të dukshëm në politikat rajonale dhe globale.
“Nëse i gjithë procesi i integrimit Evropian është një libër më shumë vëllime në 2026 hyjmë në kapitullin e tij vendimtarë. Kemi bërë shumë punë për të nxjerrë Shqipërinë nga prapambetja e saj historike dhe nga irelevanca e saj diplomatike. Kemi kaluar nga të fundit e klasës në të parët në dhomën e BE. Kemi bërë të mundur që zëri i Shqipërisë të dëgjohet. Shqipëria që sot ulet me dinjitet në tryezat ndërkombëtare nuk është rastësi por është vazhdimësia e një rruge historike, e një dëshirë që buron nga identitet ynë thellësisht evropian. Në vitin 2026 Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka përpara një mision historik. Të udhëheqë ofensivën në misionin diplomatik shqiptar një mësymje e bazuar mbi vlera dhe mbi vizionin tonë evropian”, u shpreh Elisa Spiropali.
Spiropali shtoi se institucioni që ajo drejton, ka përpara një mision historik në vitin 2026, duke udhëhequr një ofensivë diplomatike që do të mbështetet në vlera dhe në vizionin evropian të Shqipërisë.
Ministrja gjithashtu prezantoi detajet e projektbuxhetit për vitin 2026, duke i dhënë prioritet arsimit, shëndetësisë, inovacionit dhe transformimit të sektorëve kyç për të mbështetur procesin e integrimit evropian dhe zhvillimin afatgjatë të vendit.
“Nuk jemi në gjysmë të rrugës por jemi drejtë fundit të saj, pikërisht për këtë arsye me një vullnet të fortë dhe me shumë energji duhet të punojmë për të bërë më shumë. Për ne pasaporta evropiane nuk është slogan politik, është një agjendë konkrete që përkthehet në objektiva strategjike. Si eliminomini i plotë i lëvizjeve për qytetarët shqiptar në Evropë, më shumë të drejta studimi dhe pune në çdo vend evropian, investime të huaja që krijojnë vende pune të mirë paguara, modernizime për arsimin, shëndetësinë, inovacionin, teknologji dhe ky është transformimi që synojmë”, tha Spiropali
/rtsh.al/