Tiranë/ Dhunuan dhe i morën 5000 euro një 27-vjeçari, arrestohen dy të rinj, 3 në kërkim

Dy të rinj janë vënë në pranga, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim nga Policia, pasi akuzohen se kanë rrëmbyer dhe dhunuar një 27-vjeçar, me qëllim që t’i merrnin një shumë parash.
Sipas njoftimit zyrtar, autorët e dyshuar e kanë mbajtur për disa orë peng të riun në një apartament, ku e kanë dhunuar fizikisht dhe e kanë detyruar t’u dorëzonte 5000 euro. Pas denoncimit të ngjarjes, Policia ka organizuar operacionin e koduar “Kufizimi”, për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u arrestuan shtetasit L. K., 24 vjeç, dhe A. N., 24 vjeç, ndërsa u shpallën në kërkim bashkëpunëtorët e tyre, K. N., 23 vjeç, M. M., 21 vjeçe, dhe S. C., 25 vjeçe.
Po ashtu në pranga ra edhe babai i njërit prej të arrestuarve, pasi iu gjet në banesë, 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
“Nga hetimet e kryera me metoda proaktive dyshohet se këta 5 shtetas kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, për t’i marrë para, 27-vjeçarit. Shtetasit L. K., M. M. dhe K. N. i kanë hequr lirinë, për disa orë, 27-vjeçarit, dhe e kanë dhunuar fizikisht atë, në ambientet e një apartamenti. Pasi 27-vjeçari iu ka dhënë 5000 euro, ata e kanë kanosur sërish atë, që t’iu jepte një shumë tjetër parash.
Në vijim të operacionit, u krye kontroll në banesën e shtetasit A. K, 60 vjeç, (babai i shtetasit L. K.), ku u gjet 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurosisë, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/