E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Spiropali dënon aktin terrorist në Ibër-Lepenc: Jemi pranë institucioneve të Kosovës

TIRANË, 30 nëntor /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali dënoi sot aktet terroriste të shkatërrimit të furnizimit me ujë në Kanalin e Ibër-Lepenc në Kosovë.

“Aktet terroriste të shkatërrimit të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë në Kanalin e Ibër-Lepencit, nuk dëmtojnë vetëm shërbimet jetike ndaj qytetarëve të Kosovës, por përpjekjet e popullit dhe institucioneve të Kosovës për siguri, zhvillim, mirëqenie, dialog e paqe, dëmtojnë klimën dhe përpjekjet për mirëkuptim dhe bashkëpunim në rajon”, u shpreh Spiropali.

Spiropali theksoi se, frymëzuesit, shkaktarët dhe fajtorët e këtyre akteve meritojnë ndëshkimin e merituar.

“Jemi pranë institucioneve të Kosovës dhe mbështesim përpjekjet për kthimin e normalitetit, garantimin e qetësisë e sigurisë për qytetarët e Kosovës dhe gjithë rajonin”, nënvizoi Spiropali.

Një shpërthim që ka ndodhur mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Sulmi u cilësua akt terrorist nga autoritetet e Kosovës ndërsa u dënua edhe nga SHBA dhe BE. j.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›