Spiropali në Strasburg: Shqipëria, shembull i qëndrueshmërisë demokratike në rajon

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, gjatë sesionit “Mbrojtja e Demokracisë” në Konferencën e Kryeparlamentarëve të vendeve anëtare të Këshillit të Europës, theksoi rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm për ruajtjen e demokracisë dhe sfidat që ajo has në zhvillimin e saj, veçanërisht në kontekstin e dezinformimit dhe ndikimeve të jashtme.
“Demokracia nuk dobësohet brenda natës, dhe as nuk mbetet e fortë pa përpjekje. Nëpër Evropë tablotë politike po ndryshojnë, besimi tek institucionet po testohet dhe forcat e jashtme kërkojnë të manipulojnë opinionin publik”, tha Spiropali.
Me teje Kryetarja e Kuvendit vlerësoi progresin e Shqipërisë në forcimin e institucioneve demokratike, duke përmendur reforma të rëndësishme si ajo në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit.
“Progresi i Shqipërisë drejt Bashkimin Europian është edhe rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe njohjes nga Këshilli i Europës të arritjeve tona, sidomos në pavarësinë e degëve të qeverisjes, reformën e thellë dhe gjithëpërfshirëse në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtjen e pakicave dhe të të drejtave të njeriut, lirinë e medias etj. Objektivi strategjik kombëtar i Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian brenda vitit 2030 dhe përfundimin e negociatave teknike brenda vitit 2027 ka gjetur një mbështetje të plotë nga Bashkimi Europian”, theksoi kryeparlamentarja.
Spiropali gjithashtu kërkoi mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, duke e vlerësuar atë si një demokraci të konsoliduar.
/rtsh.al/