Spiropali në Vjenë, pjesë e Këshillit të 32-të Ministror të OSBE

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali ndodhet në Vjenë për Këshillin e 32-të Ministror të OSBE-së që po mbahet në Pallatin Hofburg.
Spiropali u mirëprit nga kryesuesja e OSBE dhe ministre e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen.
Ky Këshill përkon me Kryesinë e Finlandës të OSBE dhe me 50-vjetorin e Aktit Final të Helsinkit që solli në jetë Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim.
Në fokus të Këshillit do të jenë parimet që qëndrojnë në themel të sigurisë europiane: barazia dhe integriteti territorial, zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve, respekti për të drejtat e njeriut.
Në këtë kontekst, në zemër të diskutimeve do të jetë shkelja flagrante e këtyre parimeve nga agresioni rus ndaj Ukrainës.
Një vëmendje të veçantë do të marrë përgatitja e OSBE-së për sfidat e së ardhmes, prioritet ky i Kryesisë finlandeze, ndërkohë që Ministrja e Jashtme e Shqipërisë do të theksojë angazhimin e vendit për paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale.
Në margjinat e Këshillit Ministror, Spiropali do të takohet me Zyrtarin e Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështjet Europiane, Brendan Hanrahan, për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në kuadër të partneritetit strategjik Shqipëri-SHBA.
Gjatë ditës, Ministrja e Jashtme do të marrë pjesë në tryezën e ministrave të Jashtëm të nismës “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, me ftesë të ministres së Jashtme austriake, Beate Meinl-Reisinger. Në takim do të marrin pjesë edhe zëvendëspresidentja e Komisionit Europian dhe kryediplomatja europiane Kaja Kallas, si dhe Komisionerja për Zgjerimin e BE, Marta Kos.
Spiropali pritet të zhvillojë disa takime dypalëshe me homologët nga Rumania, Armenia dhe Gjeorgjia, si dhe me zyrtarë të lartë të OSBE-së.
1 nga 7/gj.m/j.p/r.e/