Spitali Rajonal i Shkodrës pajiset me skaner të ri 64-slice CT, rriten kapacitetet diagnostikuese

Spitali Rajonal i Shkodrës është pajisur me një skaner të ri 64-slice CT, i cili përfshin teknologjinë e avancuar të Angio-Skanerit, duke përmirësuar ndjeshëm kapacitetet diagnostikuese të institucionit shëndetësor.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pajisja e re ofron imazhe me rezolucion të lartë dhe mundëson kryerjen e ekzaminimeve në një kohë më të shkurtër, duke rritur saktësinë dhe efikasitetin në diagnostikimin e sëmundjeve.
Teknologjia e re do të përdoret për diagnostikimin e avancuar të patologjive neurologjike, kardiovaskulare, pulmonare dhe abdominale, si edhe për trajtimin e rasteve urgjente që kërkojnë ndërhyrje të shpejtë mjekësore.
Sipas autoriteteve shëndetësore, investimi synon të forcojë shërbimet diagnostikuese në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe të përmirësojë aksesin e qytetarëve të veriut të vendit në shërbime moderne shëndetësore pranë vendbanimit të tyre.
/rtsh.al/