Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”: Pamjet në medie i përkasin periudhës së punimeve, shërbimi vijon normalisht

TIRANË, 25 qershor /ATSH/ Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” sqaroi sot se pamjet e publikuara në medie dhe rrjete sociale për disa ambiente të institucionit i përkasin një periudhe të përkohshme, gjatë zhvillimit të punimeve të mirëmbajtjes dhe përmirësimit të infrastrukturës.
Sipas njoftimit zyrtar, situata e paraqitur në video lidhej me disa punime, gjatë të cilave u morën masa për të garantuar vijimësinë dhe sigurinë e shërbimit për pacientet dhe të porsalindurit.
Për këtë arsye, stafi mjekësor, pacientet dhe një pjesë e dhomave u sistemuan përkohësisht në ambiente të tjera funksionale brenda maternitetit, deri në përfundimin e ndërhyrjeve.
Ky institucion bën të ditur se punimet kanë përfunduar dhe materniteti funksionon normalisht, duke ofruar pa ndërprerje shërbim 24 orë në ditë për nënat dhe foshnjat e porsalindura.
Në reagimin e tij, materniteti thekson se ndërhyrjet e kryera kishin si synim përmirësimin e kushteve të infrastrukturës dhe rritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor për pacientet.
“Besojmë se publiku meriton informacion të saktë dhe të plotë. Punimet kalojnë. Kujdesi mbetet. Çdo ditë, çdo natë, për jetën që sapo fillon”, thuhet në njoftimin e Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.
/e.xh/a.f/r.e/