Ndërhyrja e Ndihmës Juridike në Vlorë zgjidh problemin e aksesit për një qytetar me aftësi të kufizuara

TIRANË, 25 qershor /ATSH/ Ministria e Drejtësisë njoftoi sot se Qendra e Shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore Vlorë ka trajtuar me sukses ankesën e një qytetari, i cili prej vitesh përballej me vështirësi në aksesimin e banesës së tij për shkak të parkimit të automjeteve pranë kalimit të dedikuar për personat me aftësi të kufizuara.
Sipas ministrisë, qytetari M. Leçaj iu drejtua qendrës për ndihmë, ndërsa specialistët ofruan asistencë për hartimin e kërkesës dhe ndjekjen e procedurave pranë institucioneve përgjegjëse.
Si rezultat i ndërhyrjes, pranë banesës së tij u vendos sinjalistika horizontale dhe vertikale përkatëse.
Ministria e Drejtësisë theksoi në këtë mënyrë “u garantua përdorimi i lirë dhe i sigurt i hapësirës së aksesit, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet e lëvizshmërisë së qytetarit”.
/m.q/r.e/a.f/