Spitali i Gjirokastrës pajiset me sistem oksigjeni

Në Spitalin Rajonal “ Omer Nishani” është instaluar sistemi qëndror i oksigjenit. Është një investim i Ministrisë së Shëndetësisë që synon përmirësimin e cilësisë së shërbimit spitalor dhe e bën më të lehtë punën e bluzave të bardha. Vështirësitë e hasura më parë, me ofrimin e oksigjenit në çdo pavion dhe dhomë, tashmë i përkasin së shkuarës.
“Në spitalin tonë së fundi u instalua sistemi i oksigjenit ne të gjitha shërbimet, si: patologji, kirurgji, pediatri e urgjencë. Kur them në të gjitha shërbimet, u bënë të gjitha dhomat me sistem oksigjeni. Natyrisht, në kohën që nuk i kishim kompletuar të gjitha, kishim vështirësi, por megjithatë i kemi përballuar. Tani puna bëhët më e lehtë pasi nuk mungon në çdo dhomë. I sëmuri që ka nevojë për oksigjen futet në çdo dhomë, ndërsa më parë detyroheshim t’i lëviznim të sëmurët. Dihet që përdorimi i oksigjenit në pacientët seriozë, por edhe ata që dalin nga operacioni është mëse i nevojshëm.”
Spitali Rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër në muajin mars u pajis dhe me aparatura dhe pajisje bashkëkohore mjekësore, të cilat garantojnë cilësi shërbimi e diagnostikim në kohë të çdo pacienti. Nga ky investim i qeverisë shqiptare kanë përfituar të gjitha specialitetet dhe shërbimet të cilët nuk do t’i referojnë më pacientët drejt klinikave private apo kryeqytetit, siç ka ndodhur më parë.