Spiunazh në favor të Kinës, policia kanadeze prangos një punonjës të Hydro-Québec

Policia kanadeze akuzoi sot një punonjës të Hydro-Québec për spiunazh, me akuzën se i ka dërguar Kinës sekrete tregtare. Yuesheng Wang, 35 vjeç, do të paraqitet në gjykatën në Longueuil, Quebec, nesër, për t’u përballur me akuzat për marrjen e sekreteve tregtare, përdorimin e një kompjuteri pa autorizim, si dhe për mashtrim e shkelje të besimit.
Policia Mbretërore kanadeze tha se ekipi i saj i zbatimit të sigurisë kombëtare filloi hetimin në muajin gusht, pas marrjes së një ankese nga dega e sigurisë së korporatës Hydro-Québec.
Inspektori i RCMP, David Beaudoin, tha se dyshonte se ndërsa ishte i punësuar në Hydro-Québec, Wang ka përdorur pozicionin e tij për të kryer kërkime në favor të një universiteti kinez dhe qendra të tjera kërkimore kineze.
Beaudoin tha se ai botoi artikuj shkencorë dhe më pas dorëzoi patenta “për shoqëri të huaja dhe jo me Hydro Quebec”.
“Ai e përdori këtë informacion për të përfituar nga Kina në dëm të interesave ekonomike të Kanadasë,”- tha Beaudoin.
Policia tha se Wang, një banor i Candiac, Quebec, në jug të Montrealit, dyshohet se kishte akses në informacion, si pjesë e punës së tij. Apnews
/rtsh.al/