E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spiunja Greta Garbo

Roli jetësor i aktores Greta Garbo nuk ishte Ana Karenina, as mbretëresha Christine, e as ‘Zonja me Kamelie’, por ishte roli – i vërtetë – i agjentes së shërbimit sekret britanik, MI-6.

Diva legjendare të cilën Hollywood ende e kujton si ‘Perëndeshë’, aktorja Greta Garbo vazhdon të tërheq vëmendjen e publikut. Fshehtësia e fundit e saj, që sapo u zbulua, është se, roli jetësor i Garbo’s nuk ishte ai i Ana Kareninës, mbretëreshës Christine, apo i ‘Zonjës me Kamelie’, por ishte roli i saj si agjente e shërbimit të fshehtë britanik MI-6 gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ky pretendim është temë qendrore e librit “Greta Garbo: Ylli Madhështor”, i biografit të njohur David Bret. Sipas autorit, Garbo ishte një heroinë e vërtetë e Luftës së Dytë Botërore, megjithëse angazhimi i saj si spiune e MI-6 ishte një fshehtësi e madhe. Mirëpo, opinioni kishte një mendim ndryshe për të. Shumë kolegë e akuzonin aktoren suedeze se “nuk bëri asgjë për t’iu ndihmuar aleatëve”, ndërkaq kishte edhe asi që e akuzonin se ishte një naziste e heshtë.

Përderisa aktorja gjermane, Marlene Dietrich i zbaviste forcat ushtarake të aleatëve përgjatë Evropës, duke interpretuar brenda zonave më të mëdha të luftës, publiku pyetej se përse Greta Garbo po heshtte. Por e vërteta është se, sipas Bert, MI-6 e kishte angazhuar atë në disa misione tejet të rrezikshme.

Po ta kishin zbuluar gjermanët, Garbo sigurisht se aktivitetin e saj do ta paguante me kokë. Megjithatë, ajo nuk merrej me këtë gjë e as nuk kërkonte falënderim për punën e bërë, shkruan Bret në librin biografik që hedh dritë të re mbi enigmën Garbo. Sipas Bret, ky zbulim do të duhej të heq njollën nga emri i saj, sepse shpeshherë është kritikuar për rolin e saj indiferent ndaj vuajtjes së miliona njerëzve.

Në botën e spiunazhit Garbo’n e kishte futur producenti Alexander Korda, me të cilin ishte njohur në vitin 1939. Asokohe, kompania filmike e Korda’s xhiroi në Britaninë e madhe filmin “Hajni i Bagdadit”, pjesë e të cilit ishte edhe Greta Garbo. Pë shkak të luftës, i tërë produksioni u desh të bartej në Hollywood, ndërkohë që Korda aktoren e bukur e përgatiti për një mision të ndjeshëm: që të mblidhte sa më tepër informacione për industrialistin suedez Axel Wenner-Gren, i cili ishte pjesë e ‘listës së zezë’ amerikane. Ndryshe, multimilioneri suedez, që ishte mik i ngushtë i Herman Gering dhe simpatizantë i nazizmit, ishte financues i fashistëve gjermanë.

“Gjatë historisë së gjatë të Hollywood’it nuk kishte person më enigmatik se Greta Garbo. Pasi pranoi të ndihmonte, Korda e lidhi atë me agjentin e shërbimit MI-6, Wiliam Stevenson, i cili, siç supozohet, shërbeu si inspirim i shkrimtarit Ian Fleming për krijimin e agjentit James Bond”, shkruan tutje Bret.

“Hitlerit i pëlqeja. Para luftës më dërgonte letra dhe më ftonte që të shkoja në Gjermani. Po të mos kishte nisur lufta aq befasisht, do të shkoja, do të merrja me vete revolen dhe do ta vrisja. Unë jam personi i vetëm që do të mund ta bënte këtë gjë, sepse askush nuk do të kontrollonte Greta Garbo’n”, citohet të ketë thënë aktorja e njohur.

Sipas David Bret, janë aktivitetet e spiunazhit ato që e sqarojnë plotësisht edhe zhdukjen e saj misterioze nga Hollywood’i. Pas dështimit të filmit “Gruaje me Dy Fytyra” (1941) nga bota e filmit befasisht ishte tërhequr aktorja më karizmatik në historinë e ‘artit të shtatë’. Duket se ajo ndali aktrimin në ekran të madh për Ta vazhduar në fshehtësi rolin e saj më të madh jetësor – atë të spiunes së MI-6.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›