E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sportelet e postave pa sistem elektronik, radhë e kaos në shpërndarjen e pensioneve

Punonjëset: Punojmë në kushte skandaloze, na duhen ditë të tëra për të hedhur të dhënat në regjistra

Sportelet e postave në kryeqytet janë kthyer kohët e fundit në një ambient kaosi e zhurme ku përpos lodhjes e orëve të gjata në radhë, pensionistët duhet të përballen edhe me temperaturat e larta e qëndrimit për një periudhë të gjatë të ditës në

dyert e këtyre zyrave. Mungesa e theksuar e kushteve në të cilat punonjëset e këtyre zyrave duhet të punojnë u shtohet edhe pamundësia e sistemit elektronik i cili do të zgjidhte problemet me radhët e pafundme të pensionistëve të cilët duhet të përballen ndonjëherë dhe me tensionin e krijuar nga lodhja e nga qëndrimi i gjatë mes njerëzve. Në një vëzhgim të kryer nga gazeta SOT ditën e djeshme në disa prej pikave të shpërndarjes së pensioneve në kryeqytet radhët e gjata të krijuara nga qytetarët kanë krijuar kaos e radhë të gjata pa fund. Disa prej pensionistëve kanë deklaruar për gazetën se ka raste që vijnë disa ditë rresht qëndrojnë në radhë pranë sporteleve e sërish nuk mundin dot të marrin pensionin e tyre.  Kjo ndodh sipas tyre për shkak se punonjëset janë të detyruara të punojnë ngadalë pasi të gjitha të dhënat duhet të kontrollohen e të hidhen në regjistra dorazi në mungesë të sistemit elektronik. Këtë gjë e  pranojnë edhe vetë punonjëset të cilat thonë se në pothuajse të gjitha zyrat nuk ka kushte pune e konkretisht atyre u duhet ti hedhin të dhënat për disa ditë radhë. Sipas këtyre punonjësve ato janë duke punuar në kushte skandaloze e për këtë shkak ndodhin edhe vonesat apo rrahët e gjata.


Precedenti
Pensionistët, ende nuk po u shmangen dot radhëve të gjata pranë zyrave postare, pasi, problemit të sporteleve të kufizuara i është shtuar edhe mungesa e punonjësve, gjithashtu edhe ardhja me vonesë e parave. Ndonëse në vazhdimësi është bërë zhurmë e madhe për shërbimin e sporteleve postare, çdo pensionist, një herë në muaj përballet si më parë, me radhët e gjata për të tërhequr pensionin e tij. Që në orët e para të mëngjesit, konstatohet një kaos në shërbimin e zyrave postare, pasi me dhjetëra pensionistë presin pranë sporteleve dhe që nga larg duket se diçka nuk shkon. Një situatë e tillë u konstatua pranë zyrës postare tek Rruga Bardhyl ku që në orët e para të mëngjesit ditën e djeshme dhjetëra pensionistë kanë qëndruar në radhë për disa orë. E njëjta situatë paraqitet edhe në disa prej zyrave të tjera postare në Tiranë. Një pjesë të moshuarve, në pamundësi për ta përballuar fizikisht radhën dhe pritjen për disa orë, ishin ulur nëpër kartonë përreth zyrës postare, ndërsa të tjerët mbështeteshin në muret anësore të objektit. Të moshuarit pensionistë të kryeqytetit, si kategoria më pambrojtur e shoqërisë, shprehen se përballen çdo muaj me këtë situatë dhe nuk kanë munguar rastet që në pamundësi për ta përballuar pritjen dhe radhën, janë kthyer në shtëpi pa e tërhequr pensionin për të ardhur sërish të nesërmen pranë zyrës postare.


Shërbimi postar
Cilësia e shërbimit postar për shpërndarjen e pensioneve nuk po shkëputet nga tradita e tij e mëparshme, ku radhët e gjata, mungesa shpesh-punonjësve, vonesat dhe vuajtjet e të moshuarve kanë karakterizuar gjithmonë. Ky shërbim, me zbatimin e metodave të vjetra, ku nuk mbahet asnjë përgjegjësi, për vonesat dhe për moslajmërimin më parë të pensionistëve, për orarin e shpërndarjes, për mungesën e parave etj., po i diskriminon të moshuarit. Shërbimi i shpërndarjes së pensioneve, i cili torturon të moshuarit një herë në muaj, dëshmon edhe për një mungesë bashkëpunimi midis Institutit të Sigurime Shoqërore dhe Postës Shqiptare, për një shërbim bashkëkohorë dhe të thjeshtuar për pensionistët. Edhe marrëveshja e këtyre dy institucioneve, e cila parashikonte që paga e pensionit ti ofrohej pensionistit në shtëpi, dështoi, sidomos në zonat urbane. Nuk është aspak e arsyeshme dhe e drejtë që qytetarët mbi moshën 80 vjeç të sorollaten disa ditë në muaj pranë zyrës postare, duke u përballur me radhë dhe vonesa, madje në stinën e verës mund të humbin edhe jetën.


Arta AGOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›