E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ansambli Popullor çon folklorin shqiptar në skenën e Beogradit

Artistët e AKKVP ftohen në Festivalin Turistik të Sulqinit

Pas disa ditësh folklori shqiptar do të pushtojë skenën e Beogradit, ku artistët më të mirë të këngës dhe valles popullore shqiptare do të interpretojnë pjesët më të bukura të folklorit shqiptar nga veriu në jug të vendit, në një prej evenimenteve

më të rëndësishme kulturore. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve Popullore nga data 29 korrik deri më 1 gusht do të marrë pjesë në Festivalin Turistik të Sulqinit në Beograd. Ky tur, i cili do të nisë para datës finale të koncertit, do të startojë me koncerte në datë 30 dhe 31 korrik, për ta përfunduar në natën finale të festivalit. I cilësuar si një prej evenimenteve më të rëndësishme të kulturës që zhvillohet atje prej disa vitesh në këtë festival marrin pjesë disa shtete, mes të cilëve dhe AKKVP i cili merr pjesë për herë të parë në këtë festival, që nuk përmban vetëm folklorin por dhe shumë zhanre të tjera. Drejtori Artistik i Ansamblit, Sulejman Baltëza në një prononcim pohon se prej disa ditësh të gjithë artistët e ansamblit kanë nisur provat për një prezantim sa më dinjitoz në këtë eveniment kulturor. Ai pohon se ftesa për këtë festival do të ngjisë në skenë rreth 55 artistë të AKKVP. Kemi disa ditë që po përgatitemi për koncertet që do të zhvillojmë në Serbi. Ansambli është i ftuar në Festivalin Turistik Komuna e Sulqinit, në Beograd. Ne do të jemi atje që në datë 30 për të dhënë koncert dhe në datën 31 korrik gjithashtu, ndërsa në  datën 1 gusht ne do të ngjitemi në skenën e festivalit. Ftesa është bërë nga pala serbe drejtuar ambasadës sonë. Ne atje do të prezantojmë një repertor të pasur të folklorit shqiptar, nga veriu në jug të vendit. Në këto koncerte do të marrin pjesë rreth 55 artistë, pohon Sulejman Baltëzi, drejtor artistik i AKKVP. Sa i takon aktivitetit të ansamblit, pesë dekada më parë një grup artistësh të talentuar, mes të cilëve Çesk Zadeja e Gëzim Kaceli, vendosën ta ngrenë në një stad më të lartë muzikën popullore shqiptare. Pikërisht atëherë u krijua Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore. Me këtë Ansambël kanë bërë jetë me dhjetëra qindra artistë që janë në themelet e kulturës dhe të muzikës, e valles së kulturës sonë popullore. Kanë qenë shumë artistë të mëdhenj si: Çesk Zadeja, Besim Zekthi, Liljana Cingu etj, që shkrinë jetën për shkëlqimin e ansamblit. Në vijim të punës së tyre janë dhe sot shumë emra të tjerë të talentuar, të cilët shpalosin në skenat e botës folklorin e pasur shqiptar.


Ansambli Popullor, ndër më të kërkuarit në botë
Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore (AKKVP) është krijuar si ansambël profesionist në vitin 1957, me të gjithë komponentët artistikë dhe teknike të një trupe artistike. Ky ansambël përbëhet nga solistë, grupi i valleve, kompleksi vokal dhe orkestrina. Aktiviteti i tij artistik qëndron në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë së lashtë e bashkëkohore, duke përfshirë një pasuri të madhe muzikore, instrumentale e koreografike, të krahinave popullore që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar kështu një harmoni të madhe motivesh. Folku shqiptar shquhet nga ai i vendeve të tjera për origjinalitetin, lashtësinë si dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike. Shqipëria ka shumë zona etnografike, ku secila ka veçantitë e saj në kostume, këngë, valle, rite, zakone, doke, të cilat edhe brenda një zone kanë origjinalitet të ndryshëm. Ansambli, prej dekadash, është kthyer në një laborator për përpunimin dhe ekzekutimin me kërkesa të larta artistike të këtij thesari të madh, që populli ynë e transmeton brez pas brezi. Ansambli është pjesëmarrës i dhjetëra Festivaleve Ndërkombëtare, Kontinentale dhe Ndërkontinentale, ku me repertorin dhe elementët interpretues, me virtuozitetin e valltarëve, vokalin e këngëtarëve dhe orkestrinën e tij, ka bërë që të jetë një nga Ansamblet më të kërkuara sot në botë.


Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›