Sporti nga bota
Inter, pritet finalizimi me Diego Forlan
Zëvendësuesi i Samuel Etosë te Interi do jetë Diego Forlan, për një shifër të përafërt me 5 milionë euro. Ditën e sotme pritet finalizimi i tratativës, që sipas mediave spanjolle, ka përfunduar dhe lojtari pritet të shkojë në Milano sot ose nesër. Sipas tyre kanë mbetur vetëm detajet e fundit të kontratës për t’u saktësuar dhe vizitat mjekësore, që do të mundësojnë edhe zyrtarizimin e sulmuesit uruguaian si lojtari më i ri i Interit. Forlan i ka kërkuar trajnerit të Atletikos së Madridit që të mos grumbullohet për transfertën e Ligës së Evropës, sepse tashmë nuk ndihet më pjesë e skuadrës spanjolle.
Akuilani te Milan: Jam në klubin më elitar
Dje mesfushori Alberto Akuilani ka zhvilluar vizitat e para mjekësore, ndërkohë që sot pritet të bëjë testin e fundit atletik me stafin e mjekëve të Milanit. Pasi ky formalitet të përfundojë, Milani do pres dokumentacionin e nevojshëm nga federata angleze, që nëse mbërrin në kohë do lejojë Akuilanin të jetë zyrtarisht një futbollist i Milanit. “Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Është bukur të jesh pjesë e këtij klubi. Jam gati të bëj gjithçka për të fituar besimin e drejtuesve të klubit. Milani është klubi më i mirë në botë, besoj se jam me fat që ndodhem këtu”.
FSHF-ja, “luftë” me Zvicrën për talentin kosovar
Një 19-vjeçar kosovar bëhet çështje mes Shqipërisë dhe Zvicrës. Është mesfushori Mërgim Ibrahimi, i cili aktivizohet në Zvicër me Grasshopers. FSHF-ja po bën gjithçka për ta pajisur me pasaportë shqiptare, në mënyrë që i riu të luajë me Kombëtaren kuqezi. Por, alarmi ka ardhur dje nga federata e Zvicrës e cila ka ndërhyrë për t’i prishur punë Shqipërisë. Mësohet se helvetët kërkojnë ta angazhojnë lojtarin në Kombëtaren U-21, për ta bërë të tyrin. Nga ana tjetër, trajneri i Shpresave, Artan Bushati, e ka grumbulluar të riun për dy ndeshjet kundër Polonisë dhe Moldavisë.
Tato, himarjoti ka refuzuar Shqipërinë
Mesfushori nga Himara, Andrea Tato, i cili së fundmi ka firmosur për klubin e famshëm grek Olimpiakos, nuk ka shprehur gatishmërinë për të luajtur me Kombëtaren shqiptare. Lajmi konfirmohet për “Panorama” nga burime zyrtare në FSHF. “Ne i kemi bërë ftesë pak vite më parë, por ai nuk ka shprehur interes për t’u grumbulluar me kombëtaret e moshave. Tato është evidentuar nga zyrtarë të talenteve në Greqi dhe problemi ishte se nuk ka pasur dëshirë të luante për Shqipërinë”, tregojnë në institucionin e futbollit, për talentin nga Himara.