E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’e lëshojmë Gjakovën

Kandidati i AAK-së për kryetar të Gjakovës, njëherësh kryetar i kësaj komune, Pal Lekaj, është shprehur i bindur në fitoren e tij më 3 nëntor.

Kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, ka thënë se AAK-ja do ta qeverisë Gjakovën edhe pas zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit. Për këtë ai është shprehur i bindur falë punës dhe sukseseve të treguara gjatë dy mandateve rresht në krye të Gjakovës.

“Është puna ime shtatëvjeçare në Komunën e Gjakovës, janë sukseset e qeverisjes lokale, e këto suksese për çdo ditë i prekin qytetarët, që na bëjnë të jemi optimistë dhe të palëkundur në fitoren e 3 nëntorit”, ka thënë Lekaj në një intervistë për “Epokën e re”.

Ai ka shprehur optimizëm se AAK-ja, përveçse do t’i mbajë komunat ku aktualisht qeveris, do të fitojë edhe në disa të tjera. “Mendoj se ka një shtrirje mjaft të mirë në Gjilan, Vushtrri, Kamenicë si dhe në disa komuna të tjera”, ka theksuar Lekaj, duke shtuar se AAK-ja do të shënojë ngritje edhe në zgjedhjet nacionale. “AAK-ja ka hapësirë dhe mendoj se me veprimet që është duke i bërë lideri do të ketë ngritje bukur të madhe në skenën politike të Kosovës”, është shprehur Lekaj.

Pas zgjedhjeve nacionale, Lekaj nuk e ka përjashtuar koalicionin qeverisës ndërmjet PDK-së dhe AAK-së. Ai ka thënë se Kosova ka nevojë për një koalicion të tillë, i cili, sipas tij, do t’i çojë përpara proceset në vend. “Mendoj se duhet një mandat që këto dy forca politike, të cilat e kanë moralin dhe autoritetin vendosës, të kontribuojnë në zhvillimin e vendit si dhe t’i çojnë përpara proceset e rëndësishme për Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Lekaj. Ai ka bërë me dije se pas përfundimit të mandatit të tij të tretë në krye të Gjakovës, ka synim të jetë pjesë e qeverisjes në nivel qendror. Lekaj është shprehur i pakënaqur me një pjesë të strukturës së AAK-së, duke thënë se partia ka nevojë për fuqizim të kapaciteteve./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›