E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ka afat për përzgjedhjen e shtatores së presidentit Ibrahim Rugova

Komuna e Prishtinës nuk e di se kur do të zgjidhet boceta më e mirë për shtatoren e Ibrahim Rugovës, teksa këtë përzgjedhje do ta determinojnë paratë dhe cilësia. Por për skulptorin kosovar, Luan Mulliqi, komuna do të duhej të ishte e fokusuar vetëm në cilësi. Për më tepër ai ka kritikuar Komunën se po kërkon skulptura të realizimit socialist, shkruan kohaditore.

Konkursi i parë, ishte anuluar pasi komisioni për përzgjedhjen e bocetës më të mirë kishte vendosur se asnjëra nga 27 propozimet nuk ia vlen të shkrihet në bronz.

Teksa qëndron pranë 32 bocetave të Rugovës që si emra të konkurrentëve kanë vetëm disa kode me numra, Asdren Osaj, zëdhënës i Komunës së Prishtinës thotë se Komuna do të qëndrojë larg ndikimit në përzgjedhjen e bocetës më të mirë. Komuna e Prishtinës ka caktuar të njëjtën përbërje sikurse në konkursin e parë të komisionit apo jurisë që do të bëjë përzgjedhjen e bocetës më të mirë.

Skulptori Adem Rusinovci, dekan i Fakultetit të Artëve-UP, Sabri Hamiti nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Artan Peqini dekan i Fakultetit të Arteve të Bukura në Tiranë, Hivzi Muharrremi, profesor në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, si dhe Sazan Raskova, arkitekte në Komunën e Prishtinës, përbëjnë listën e emrave të komisionit. Përderisa Osaj i ka thënë gazetës se koha se kur do të bëhet përzgjedhja e bocetës më të mirë varet nga komisioni, skulptori Adem Rusinovci ka thënë se takimi i parë i këtij komisioni do të mbahet të hënën. As ai nuk ka caktuar ndonjë afat se kur ky komision do të vendosë për bocetën më të mirë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›