E Diel, 1 Nëntor 2026

Stamboll, kurdët protestojne ndaj vrasjes së civilëve

Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë një protestë në Stamboll të mbajtur nga më shumë se 2 mijë kurdë, të cilët protestonin kundër sulmit ajror në Turqinë juglindore, që solli vrasjen e 35 fshatarëve kurdë.

Qindra të rinj, kanë hedhur gurë mbi policinë dhe kanë thyer makinat e policisë dhe civilëve gjatë protestës në sheshin kryesor të qytetit, Taksim.

Policia është kundërpërgjigjur me topa uji, gaz lotësjellës si dhe ka kryer disa arrestime.

Më herët një zyrtar turk konfirmoi se 35 personat e vrarë në sulmet ajrore të natës së mbrëmshme ishin civilë.

Zëdhënësi i partisë në pushtet, Husein Gjelik tha se viktimat “nuk ishin terroristë”, por individë që kontrabandonin mallra nga Iraku në Turqi.

Turqia në mënyrë të vazhdueshme kryen sulme ushtarake kundër pjesëtarëve të Partisë Popullore të Kurdistanit, e cila kërkon autonomi për kurdët.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›