Stark: “Rudi Vata na dha info për Shqipërinë U21”“Ne do të donim të dinim më shumë për kundërshtarin. Rudi na ndihmoi disi, ai na dha disa gjëra, kështu që unë jam i lumtur me këtë gjë”, - tha trajneri i Skocisë U-21, Billi Stark.

Trajneri i Skocisë U-21, Billi Stark, nisi të martën në Romë një stërvitje dyditore përpara se të niset drejt Elbasanit për ndeshjen e parë të përballjes së dyfishtë kundër Shqipërisë U-21 në harkun e pesë ditëve (28 mars në Elbasan e 1 prill në Falkirk) për fushatën kualifikuese të Euro 2011 për Shpresat.
“Është një gjë shumë tërheqëse për lojtarët, kur ata ballafaqohen në nivel ndërkombëtar, e këtu futet edhe udhëtimi”, - citohet nga uebsajti britanik “Sportinglife.com, ish-mesfushori i Aberdinit e Sëlltikut në kampionatin skocez.
Sipas medieve britanike, Stark, ka dashur te krijojë një klimë të qetë në skuadrën e tij U-21, duke theksuar faktin se për ata, lojtarët, është më mirë të shijojnë eksperiencën e tyre të re, sesa të kenë frikë nga një territor i paeksploruar.
“Ata do të shohin vende të reja dhe do të mbledhin eksperienca të reja, të stërviten mirë dhe të luajnë mirë kur ndeshje do të vijë. Fakti është se ne do të ndalojmë në Romë për disa ditë. Do të udhëtojmë shumë pak (drejt Shqipërisë), dhe nuk ka dyshim se kjo do të na ndihmojë ne. Ju jeni gjithmonë të ngacmuar, kur luani për vendin tuaj. Është një nder i madh. Është diçka që ju e provoni dhe ju bën përshtypje. Ata përfaqësojnë vendin dhe veten e tyre”.
Udhëtimi në vendet e Europës Lindore përveçse është një test për departamentin e udhëtimeve në Federatën Skoceze të Futbollit është dhe një sfidë prove e aftësive të trajnerit Billi Stark në përgatitjet e tij ndaj kundërshtarëve.
“Unë mendoj se vështirësitë shtohen nëse ju e filloni aventurën me një ndeshje jashtë dhe me një skuadër të re”, - tha Billi Stark, i cili së fundi ka thirrur edhe mbrojtësin e St.Mirren, Mark Mekausland, pasi Brian Iston e Luis Stivenson u larguan nga U-21 për shkak të dëmtimit.
“Për ekipet që dolën nga shorti, informacioni ynë nuk ishte i arritshëm. Ne jemi qartësisht të interesuar për përballjen e dyfishtë me Shqipërinë dhe ne aktualisht kemi disa informacione, por jo aq sa dëshironim. Unë e imagjinoj se ata janë të aftë të keni më shumë informacione për ne. Por, kjo varet nga ajo që ata (shqiptarët) do të bëjnë kur të zbresin në fushë të shtunën. Ne do të përgatitemi të bëjmë më të mirën e mundshme”.
Gjithsesi, trajneri i Skocisë U-21 nuk e fsheh faktin se ai ka pasur mundësinë të konsultohet e të mbledhë informacione për Shqipërinë nga ish-shoku i tij e ekipit te Sëlltiku, Rudi Vata. Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, sipas Starkut, e ka ndihmuar atë, të përgatisë dy ndeshjet kundër Shqipërisë, përfshirë edhe takimin e dytë në stadiumin e Falkirkut të mërkurën e ardhshme.
“Ne do të donim të dinim më shumë për kundërshtarin. Rudi na ndihmoi disi, ai na dha disa gjëra, kështu që unë jam i lumtur me këtë gjë”, - përfundon trajneri i Skocisë U-21, Billi Stark.
KALENDARI
28.03.2009: Shqipëri-Skoci
01.04.2009: Skoci-Shqipëri
05.09.2009: Shqipëri-Azerbajxhan
09.09.2009: Austri-Shqipëri
14.10.2009: Bjellorusi-Shqipëri
13.11.2009: Shqipëri-Austri
17.11.2009: Shqipëri-Bjellorusi
04.09.2010: Azerbajxhan-Shqipëri
E Marte, 24 Mars 2009