E Diel, 1 Nëntor 2026

Starton sot edicioni i pestë i Dancit Ndërkombëtar Kontemporan

Artistët e rinj sjellin ritmet moderne dhe latine në Tiranë dhe Durrës me fillimin e edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Kontemporan. Sipas organizatorëve gjithçka është gati për të filluar ky eveniment në fushën e kërcimit dhe vallëzimit.

I cilësuar si një prej evenimenteve më të rëndësishme të këtij sezoni pranveror në qytetin e Durrësit, Festivali Ndërkombëtar i Dancit Modern dhe Kontemporan, në edicioni e tij të pestë premton të sjelli net të mbushura me ritëm në qytetin bregdetar, por këtë sezon ato nuk do të mungojnë dhe në kryeqytet. Ky aktivitet, i cili starton sot në datë 1 maj për të përfunduar në 28 maj do të mbledhë rreth grupe të njohura shqiptare dhe nga bota. Organizatorët bëjnë të ditur se këtë vit do të ketë një pjesëmarrje shumë më të gjerë se sa edicionet e viteve të kaluara, duke performuar para publikut grupe të njohura dhe të vlerësuara dhe në festivale ndërkombëtare të kërcimit. Drejtori i festivalit, koreografi i njohur Gjergj Prevazi tregon se ky është një eveniment unik dhe tepër i rëndësishëm në llojin e vet. Festivali ynë synon që të bëhet arenë e shprehjes së aspiratave krijuese të artistëve nga vende të ndryshme, duke u kthyer tashmë në një veprimtari të përvitshme, thotë ai. Këtë vit do të jenë pjesëmarrëse grupe nga Spanja, Zvicra, Franca, Izraeli por dhe nga Shqipëria. Trupat pjesëmarrëse: Ballet Jesus Quiroga në 1 maj, Cie Diade, Scream Scene dhe Trefeli në 4 maj, Ursula Eagly Solo Fields of Ida më 5 maj, Oded Ronen and Joel Bray Dorban2O 5 maj, The Neta Dance Company 6 maj, 5 Beds/Children of the Dream +Fold-Refolds në Tiranë në 7 maj, Ferenc Feher Tao Te 10 maj, Rytm Ba The Perfect Solo 12 maj në Tiranë, Ballet Actual 17 maj, Fabrice Lambart  21 maj, Albania Dance Theatre co., The Parfum 22 maj, Lanonima Imperial 26 maj dhe Linga më 28 maj. Ky eveniment i cili këtë vit mbërrin në edicionin e tij të pestë nga organizatorët është menduar që të jetë një spektakël mbushur dhe me shumë surpriza, të cilat do të zbulohen në vijim të këtij festivali. Festivali Ndërkombëtar i Dancit Modern Bashkëkohor, është një projekt që synon të kthehet në traditë. Festivali ka krijuar kushte mjaft të mira për njohjen e tendencave të dancit modern bashkëkohor, për studentët e degës së Koreografisë. Në fund të këtij aktiviteti organizatorët e Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Modern dhe Bashkëkohor do të nderojnë me Çmimin e Karrierës një nga balerinët apo koreografët e shquar shqiptarë në vite.

Last Updated on E Premte, 30 Prill 2010 19:52

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›