Statkraft dhe Statoil çojnë Berishën në Norvegji

Kryeministri Sali Berisha pi raki me disa te rinj
Kryeministri Sali Berisha është nisur për një vizitë në Norvegji, duke thyer kështu izolimin e tij të gjatë. Në një njoftim të kabinetit të tij thuhet se ai do takohet me homologun norvegjez, Jens Stoltenberg, po ashtu do ketë një takim me Princin e Kurorës. Por ajo që bie në sy në njoftim është se Berisha do ketë një takim me përfaqësues të biznesit norvegjez, që kanë investuar ose duan të investojnë në Shqipëri.
Dy kompanitë kryesore që kanë mundësuar këtë vizitë në Norvegji janë Statkraft dhe Statoil, dy kompani me pronar shtetin norvegjez.
E para, Statkraft, ka nënshkruar për të investuar në projektin energjetik në kaskadën e Devollit, një projekt i shumëpërfolur në median shqiptare si një projekt me interesa personale i kryeministrit.
E dyta, Statoil, synon ndërtimin e gazsjellësit TransAdriatik. Së fundmi ky projekt u shfaq në përgjimet e sekserit italian, Valter Lavitola. Gazsjellësi synon të çojë gaz në Itali përmes Shqipërisë. Sekseri Lavitola ka ndërhyrë që projekti të marrë jetë. Berisha dhe Ilir Meta janë treguar të gatshëm, por vetë Silvio Berluskoni e ka shpërfillur projektin. Gazetat italiane kanë publikuar një letër të Berishës për Berluskonin, në të cilën kërkohej të niste puna për projektin. Por Berluskoni nuk ktheu përgjigje kurrë.