E Diel, 1 Nëntor 2026

"Statusi", Berisha: Ditë historike për shqiptarët, nderim në 100 vjetorin e Pavarësisë. Sequi: Raporti, rruga për të ardhmen evropiane të Shqipërisë

10-10-2012 / Gazeta 55

Ambasadori i BE-së, Ettore Sequi i dorëzon Kryeministrit Sali Berisha dokumentin e progres-raportit të Shqipërisë


Pas prezantimit të progres-raportit për Shqipërinë nga Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, ku rekomandoi që t’i jepet vendit tonë statusi i kandidatit në Bashkimin Evropian, kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi zhvilloi një takim me kryeministrin Sali Berisha në selinë e Këshillit të Ministrave, të cilit i dorëzoi dokumentin mbi progresin vjetor të Shqipërisë. Z.Sequi e cilësoi një sinjal të rëndësishëm për Shqipërinë marrjen e statusit kandidat në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë. Duke vlerësuar arritjet, Sequi u shpreh se ky raport tregon edhe rrugën e duhur për të ardhmen, që janë miratimi i reformës në gjyqësor, reforma në administratën publike dhe rishikimi i rregullores së parlamentit, detaje edhe për projektligjin e Gjykatës së Lartë dhe ligjin e shërbimit civil.


“Dëshirojmë të shohim angazhim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ajo që është e rëndësishme duhet bazuar në disa fjalë kyçe, të cilat kanë çuar Shqipërinë në ato arritje që kemi parë sot”- tha Sequi, i cili kërkoi mobilizim gjithëpërfshirës.


“Marrja në konsideratë e faktit që integrimi në BE është një objektiv kombëtar, i cili bazohet në proces gjithëpërfshirës dhe mobilizim rreth këtij objektivi të përbashkët”. 


Gjithashtu ambasadori i BE-së falënderoi kryeministrin Berisha për bashkëpunimin për rolin që ka luajtur edhe ministria e integrimit evropian dhe komisioni i Integrimit, i drejtuar nga zoti Bushati.



Kryeministri Berisha: Gjithçka për projektin e shekullit, integrimin e Shqipërisë në BE


Kryeministri Sali Berisha e konsideroi këtë raport si dokumentin më të rëndësishëm historik që Shqipëria ka marrë nga Brukseli në këto 22 vite bashkëpunimi dhe vlerësimi më i madh për vendin tonë në këtë 100 vjetor të Pavarësisë së shtetit. Shefi i ekzekutivit shprehu angazhimin e tij për të punuar me përkushtim mbi këtë agjendë që është dhe projekti kryesor i këtij shekulli, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Në 22 vite bashkëpunimi me Bashkimin Evropian, Komisionin Evropian, ky është dokumenti më i rëndësishëm që kemi marrë nga Brukseli deri më sot, një dokument historik ku Komisioni Evropian u rekomandon vendeve anëtare për Shqipërinë statusin kandidat. 100 vjet përpjekje të Shqipërisë dhe shqiptarëve s’kanë pasur dhe s’kanë përkushtim tjetër veçse integrimin në rrugën evropiane, është vlerësimi më i madh që bëhet në 100 vjetorin e Pavarësisë. Kjo mbështetje përbën për qeverinë time një fakt shumë të rëndësishme për një angazhim më të madh për të punuar në këtë agjendë si projekti kryesor i këtij shekulli. Është një rast për të falënderuar qytetarët shqiptarë, të cilët kanë mbështetjen më të lartë për procesin e integrimit të vendit në BE”- u shpreh Berisha. Kryeministri vlerësoi kontributin e opozitës në drejtim të përmbushjes së reformave, pas thyerjes së bojkotit parlamentar që e mbajti atë jashtë parlamentit prej 2 vitesh. 


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›