Zyrtare, Stefan Fyle: Komisioni rekomandon t’i jepet Shqipërisë statusi i vendit kandidat në BE
-- Eurodeputetët mirëpresin dokumentin e komisionerit Fyle
-- Reagon Prezenca e OSBE-së, Wollfarth: Të vijojnë përpjekjet për të ardhmen e vendit
-- Progres-raporti: Ja progresi i Shqipërisë në reformat kyçe
Stefan Fyle prezantoi sot përpara Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Evropian, progres-raportin për vendet aspirante në BE. Në prezantimin e tij prej më shumë se 60 minuta, Fyle i rekomandoi Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit Evropian t’i akordojnë Shqipërisë në mbledhjen e dhjetorit, statusin e vendit kandidat në BE. Zoti Fyle tha para eurodeputetëve se Shqipëria ka shënuar progres në realizimin e reformave dhe rekomandimeve të Brukselit - ndërsa kujtoi se bashkëpunimi mes forcave politike që pas marrëveshjes së nëntorit të vitit të kaluar ka qenë konstruktiv dhe mbetet shpresëdhënës për kompletimin tërësor të kuadrit të reformave
Bruksel- UPDATE- “Komisioni Europian rekomandon t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian”. Kështu u shpreh Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle gjatë prezantimit para Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian të progres-raportit për Shqipërinë dhe vendet e rajonit. “Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm konkretisht lidhur me marrëveshjen e forcave politike për procesin e integrimit europian si dhe në një numër të konsiderueshëm fushash lidhur me prioritetet kyçe të opinionit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Duke u bazuar në këtë progres, komisioni i rekomandon që Këshilli i Ministrave i Bashkimit Europian duhet t’i japë Shqipërisë statusin e kandidatit, duke pritur që ligjet e reformës administrative dhe gjyqësore dhe asaj parlamentare të plotësohen. Komisioni Europian do të hartojë një raport në adresë të Këshillit të Ministrave kur progresi në fjalë të realizohet”, vuri në dukje Fyle. Ndërkohë, Fyle bëri me dije se politikat e zgjerimit vijojnë pavarësisht sfidave të Bashkimit Europian. Por zbatimi ligjit do të jetë prioritet për të gjitha vendet. “Integrimi politik dhe ekonomik duhet të merret parasysh për zgjerimin e Bashkimit Europian. Jemi të gatshëm të ndihmojnë vendet e Ballkanit. Kemi identifikuar prioritet për të gjitha vendet e Ballkanit. Vendet që duan të jenë pjesë e BE-së duhet të plotësojnë kriteret. Theksoj se çështjet ekonomike, sfidë për zgjerimin e Bashkimit Europian”, nënvizoi Fyle.
Brukseli kërkon miratimin e Gjykatës së Lartë dhe Reforma Parlamentare
Komisioni Europian rekomandon që prioritetet kyçe që nuk arritën të kishin progres domethënës do të jetë i nevojshme angazhimi për t’i plotësuar ato. Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle tha se, progresi në reforma duhet të vijojë në mënyrë që, të ruhet vrulli i reformës së tanishme dhe të konsolidojmë arritjet e saj. “Shqipëria duhet të fokusohet veçanërisht në përshtatjen me konsensus të rregullave të rishikuara të procedurës për parlament dhe amendameteve të ligjeve në Gjykatën e Lartë. Në mënyrë për të mbajtur vrullin e reformave aktuale dhe të konsolidojë arritjet e saj deri më sot, Shqipëria do të ketë nevojë në veçanti të përqëndrohet në miratimin me konsensus rregullat e procedurës rishikuara për Parlamentin dhe ndryshimet e ligjeve për Gjykatën e Lartë dhe në Shërbimin Civil”- thotë Fyle.
Prezenca e OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth: Të vijojnë përpjekjet për të ardhmen e vendit
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen ëollfarth ka komentuar botimin e Raportit të Progresit për Shqipërinë për vitin 2012 nga Komisioni Evropian. Pas prezantimit që iu bë këtij raporti nga ana e komisionerit Fyle, ambasadori Ëollfarth nxiti politikanët shqiptarë që të shtojnë përpjekjet e tyre për të punuar së bashku për të ardhmen e vendit. “Përpjekjet e përbashkëta të vijueshme nga të gjitha kampet politike mund ta çojnë vendin përpara, në të mirë të gjithë qytetarëve shqiptarë. Prezenca e OSBE-së vijon të ofrojë mbështetje në këtë proces, bazuar në mandatin e saj”, theksoi Wollfarth.
Konkluzionet e Raportit
Komisioni Evropian thekson në Raport se sigurimi i qëndrueshmërisë së dialogut politik është thelbësor për funksionimin e institucioneve demokratike dhe për rrugën e Shqipërisë në BE. Sa i përket demokracisë dhe sundimit të ligjit, dialogut politik në parlament është përmirësuar dhe vihet re një atmosferë më konstruktive gjatë komisioneve kuvendore dhe takimeve plenare. Raporti thekson se progres i mirë është arritur në fushat kyçe të reformës politike si funksionimin e duhur të parlamentit. KE me raportin vuri ne dukje se ka progres në reformën gjyqesore dhe luftën kundër korrupsionit në reformën për imunitetin e zyrarëve, Gjykatën Administrative, në mbrojtjen e minoriteteve dhe komunitetit rom, në mbrotjjen e te drejtave te grave, ne luften kundër krimit të organizuar. Sa i përket sistemit gjyqësor, progres është bërë në kompletimin e reformës gjyqësore, që është dhe një cështje kyce në prioritetet e BE. Strategjia e reformës gjyqësore dhe plani veprimit i marsit 2012 ka nisur të zbatohet. Ligji mbi Gjykatat Administrative dhe Ligjit mbi Konferencën Gjyqësore Kombëtare janë miratuar. Megjithatë, e rëndësishmem mbetet të forcohet përgjegjshmëria, pavarësia dhe efikasiviteti i gjyqësorit. Progres i mirë është raportuar në luftën kundër korrupsionit në gjyqësor, nëpërmjet kufizimin e imunitetit të gjyqtarëve. Raporti i KE vlerësoi rolin e Shqipërisë në marrëdhëniet ndërajonal, zhvillimi i Ekonomisë, progresin në cështjen e pronave dhe pse nënvizon se regjistrimi i pronave ende nuk ka përfunduar. Sipas raportit, kompesimi i ish-pronarëve ka ecur me ritme të ngadalta.
Progres-raporti për Shqipërinë, Bruksel, 10/10/2012
Marrëveshja politike e nëntorit 2011 ndërmjet qeverisë dhe opozitës shënoi fundin e një periudhe të gjatë ngërçi politik nisur që prej zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Kjo marrëvëshje shërbeu për t’iu adresuar reformave parlamentere dhe zgjedhore dhe të krijojë një klimë politike për t’iu bashkuar përpjekjeve për reforma në vende të tjera. Si rezultat, dialogu politik dhe bashkëpunimi janë përmirësuar ndjeshëm duke lejuar progresin në reforma.
Zgjedhjet presidenciale u zhvilluan në një linjë me kushtetutën, por procesi politik që rrethoi zgjedhjet nuk ishte gjithëpërfshirës ashtu siç pritej. Pavarësisht një ngadalësim të reformave , marrëveshja politike nisi të përmbushej. Shqipëria ka bërë progres të mirë drejt përmbushjes së kritereve politike për anëtarësimin në BE, duke dorëzuar një numër reformash kundrejt 12 kritereve të opinionit të komisionit në 2010-ën. Shqipëria vazhdon të zbatojë marrëveshjen e stabilizim asocimit. Marrëveshja vazhdon të luaj një rol konstruktiv në rajon. Shqipëria ka përmbushur 4 nga prioritetet kyçe, të cilat janë funksionimi i parlamentit , votimi i ligjeve të mbetura pezull, zgjedhja e Avokatit të Popullit dhe seanca dëgjimore për procesin e votimit të institucioneve kryesore dhe modifikimi i legjislacionit për zgjedhjet.
Shqipëria është në rrugën e saj për të plotësuar dy prioritetet kyçe përsa i përket administrimit publik dhe përmirësimit të trajtimit të të dënuarve. Koordinimi i mirë i procesit integrues nga qeveria dhe bashkëpunimi efektiv nga opozitën lejoi progresin në prioritetet kyçe që mbulojnë reformat në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit; për shembull reformimi në sistemin e imunitetit të zyrtarëve dhe gjyqtarëve dhe miratimi i ligjit për gjykatën administrative. Kështu sipas raport progresit të KE-së, reforma në fushën e drejtësisë, në atë të administratës publike si dhe të përmbyllja e reformës parlamentare do të jenë disa nga kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë deri në dhjetor. Në dhjetor do të jenë vendet anëtare të cilat do të vlerësojnë rekomandimin e Komisionit, dhe Shqipërisë do t’i duhet që ndërkohë të japë prova të forta, në mos për të marrë një vlerësim pozitiv, të paktën të mos shtyjë në kohë çështjen e statusit, qoftë edhe të kushtëzuar. Nëse vendimi për Shqipërinë do të merret në dhjetor apo në mbledhjet e ardhshme të këshillit të ministrave kjo varet shumë nga aftësia e Shqipërisë për të përfunduar reformat. Gjithashtu, komisioneri Fyle ka paraqitur progres raportin edhe për vende të tjera të Ballkanit duke theksuar se të gjitha kritikat e paraqitura në raport duhet të merren parasysh nga të gjitha vendet. Ai ka theksuar më tej se të gjitha vendet aspirante për në Bashkimin Europian duhet të plotësojnë një sërë kriteresh si zbatimi i ligjit dhe reformat ekonomike. Sa i përket Kosovës, komisioneri Fyle ka theksuar se duhet të respektohet integriteti territorial i saj. Sipas tij, duhet të respektohen minoritet dhe pakicat etnike në Kosovë por shtoi se është i domosdoshëm edhe përmirësimi i marrëdhënive mes Beogradit dhe Prishtinës.
...