Taulant Balla, në ballë të shpifjeve

Reagon Ministria e Mbrojtjesa: Ministria e Mbrojtjes as nuk jep dhe as nuk privatizon prona dhe ky fakt s’ndryshon as kur në publik dalin njerëz që janë profesionalizuar për shpifje
Në mungesë të alternativës politike, Partia Socialiste ka nisur një fushatë të përditshme denigrimesh në nivel të lartë propagande ndaj ministrisë së Mbrojtjes. Nëse për fushatën ndaj shitjes së ligjshme të fishekëve apo predhave ishte deputeti i Beratit Erjon Braçe, për privatizimin dhe shitjen e pronave jashtë planit të përhapjes së Ushtrisë i është lënë deputetit të Librazhdit, Taulant Balla.
Ky deputet i Kuvendit i njohur për mungesën e theksuar të etikës qytetare pa iu dridhur qerpiku dhe pa iu skuqur faqja shpif për përvetësime të paligjshme të kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes të ambienteve të ish-klubit “Partizani”.
Por e vërteta është e kundërta siç dëshmon dhe reagimi i familjes Begeja, e cila ka 10 vendime të ish-Komisioneve të Kthimit të Pronave dhe Agjencisë së Kthimit të Pronave që fillimisht ia kanë njohur pronën dhe më pas na kanë kthyer pronën në përputhje me Ligjin e kthimit të pronave të miratuar që në vitin 2004 që shprehet që "I kthehen ish-pronareve trojet e ish Ministrisë së Mbrojtjes që nuk janë në planin e shpërndarjes".
Ndërsa në reagimin e ditës së djeshme ministria e Mbrojtjes ka deklaruar se as nuk jep dhe as nuk privatizon prona. Përmes një deklarate për shtyp të Sekretari të Përgjithshëm Edvin Kulluri, i cili deklaroi se deputetit i PS Taulant Balla është pjesë e fushatës së dezinformimit opozitës rreth procesit të privatizimit të ish-klubit “Partizani”.
“Z. Balla vijoi edhe sot serinë e fushatës së shpifjeve dhe dezinformimit për sa i përket privatizimit të ish-klubit ‘Partizani’ dhe procesit të privatizimit të pronave në tërësi. Ndaj jemi të detyruar të sqarojmë dhe një herë se, përgatitja e dosjeve me dokumentacionin për çdo pronë bëhet nga Komisionet e Vlerësimit të Pronës, që ngrihen me urdhër të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Këto komisione rast pas rasti bëjnë vlerësimin e pronës dhe pas konfirmimeve nga organet përkatëse AKPP, ZRPP, si dhe në Prefekturën e Qarkut, dërgojnë dosjet pranë Ministrisë së Financave për të vazhduar më tej procedurat e shitjes së pronës publike”, deklaroi Kulluri.
Ndërkohë Sekretar i Përgjithshëm i dikasterit të Mbrojtjes Kulluri theksoi se ky institucion nuk u jep prona ish-pronarëve pasi nuk është në kompetencë të saj, sipas tij, çka e bën jashtë logjike deklaratat e deputetit të Partisë Socialiste.
“As ministri Imami dhe as Ministria e Mbrojtjes nuk u japin prona ish-pronarëve. E aq më tepër që Ministria e Mbrojtjes nuk është administratore e komplekseve të tjera sportive, që z. Balla përmend në mënyrë të pakuptimtë në deklaratën e tij. Privatizimi i pronës në fjalë (ambiente të ish- klubit Partizani), është miratuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës që më datën 19.09.2007, nga ku është kërkuar dhe përgatitja e dokumentacionit të privatizimit në zbatim të VKM-së Nr. 704, datë 11.10.2006 ‘Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet, si dhe për procedurën e shitjes’ dhe të VKM-së Nr. 703, datë 11.10.2006 ‘Për kriteret dhe procedurat e shitjes së trojeve të ndërmarrjeve shtetërore apo të objekteve të veçuara, që i nënshtrohen privatizimit ose transformimit të tyre në shoqëri tregtare’. Në vijim shpallja për shitje të objekteve të sipërpërmendura është bërë me datë 18.08.2008, ndërkohë që kontrata e shitjes mes Ministrisë së Financave dhe përfaqësuesve të gjashtë familjeve të ish-pronarëve të trojeve të ish- klubit sportiv ‘Partizani’ është lidhur më datë 21.10.2009. Ndaj deputeti Balla bën mirë të mos lëshojë akuza të papërgjegjshme ndaj personave konkret”, theksoi ai.
Gjithashtu në kuadër të transparencës ministria e Mbrojtjes ka informuar publikun se ish-pronarë ka marrë të drejtën e parablerjes edhe prona të tjera nën administrim të saj.
“Po ashtu i rikujtojmë deputetit të radhës të Partisë Socialiste se deri më sot nga Ministria e Financave rezulton se ish-pronarë të ndryshëm kanë përfituar me të drejtën e parablerjes edhe prona të tjera nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes si vijon: Prona nr. 400 – "Ish- hoteli i ushtarakëve", Velipojë, Prona nr. 235 - "Ish-Batalioni Zbulimit ", Maminas, Tiranë, Prona nr. 867 - "Batalion Tankesh", Ardenicë, Lushnje, Prona nr. 230 - "Ish-NPVU ", Durrës, Prona nr. 785 - "Batalioni Tankeve", Droje, Laç, Prona nr. 976 - "Bateri ABD ", Shengjin, Prona nr. 16 - "Shtabi i Repartit nr. 3350", Selitë e Vogël, Tiranë, Prona nr. 72 - "ish-sh.a Elektronike", Tiranë,
Prona nr. 74 - "ish-sh.a., Autorepart", Tiranë, Prona nr. 268 - "ish-shtabi i Repartu Ushtarak nr. 9940", Elbasan, Në përfundim, nënvizoi Kulluri, përveç këtyre kontratave të realizuara, janë dhe 15 prona të tjera në proces shitjeje pranë Ministrisë së Financave. “Shpresojmë që këto sqarime të ndihmojnë sado pak deputetin Balla që t’i largohet shpifjeve dhe sajesave në adresë të ministrit të Mbrojtjes dhe institucionit që ai drejton”, përfundoi Kulluri.