Statusi i intelektualit të pavarur
Cili është statusi i intelektualit të pavarur në shoqërinë e Kosovës apo në atë të Serbisë, a ka në këto vende intelektualë të pavarur, si u bëjnë ballë sfidave dhe betejave me institucionet? Këto dhe shumë çështje të tjera u diskutuan në panelin e mbajtur të shtunën, në qendrën Multimedia, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë Polip. Në këtë panel folën Sasha Iliq, shkrimtar nga Beogradi, i cili ishte edhe moderator i panelit, kritiku i artit dhe publicisti Shkëlzen Maliqi, pastaj poetja Blerina Rogova Gaxha, dramaturgia Marija Karaklajiq si dhe Sasha Qiriq, kritik nga Beogradi.
Sasha Iliq tregoi se kjo seri e paneleve në kuadër të festivalit Polip është konsiderueshëm ambicioze.
“Gjithmonë kemi dëshirë që të merremi me disa çështje thelbësore dhe gjithmonë shpresojmë që këto diskutimet tona do të kenë një ndikim më të gjerë. Kështu është rasti edhe me temën tonë të parë, e cila ka të bëjë me statusin e intelektualëve të pavarur në shoqëritë e Kosovës dhe të Serbisë. Për mua ka qenë interesant kur kemi diskutuar për konceptin e festivalit mbrëmë kemi thënë se e gjithë kjo po realizohet jashtë institucioneve dhe jashtë politikave institucionale”, tha Iliq. Ai shtoi se pavarësisht sa dëshirojmë të punojmë në kulturë dhe në të ashtuquajturin sektor të pavarur, ne patjetër vijmë deri te muret, të cilat, sipas tij, i ndërtojnë disa politika shtetërore.
Ndërkaq, Shkëlzen Maliqi u shpreh se nga pushteti nuk ka ndonjë tendencë represive, por i vetmi problem, sipas tij, është kur duhet të ketë bashkëpunim institucional në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Aty mendoj se ndonjëherë nuk ka intervenim të vet shtetit, nuk ka ndonjë instancë që zhvillon censurë por zakonisht këtë e bëjnë disa njerëz që janë nëpër institucione shtetërore nga frika apo nga ambiciet politike që i kanë. Ata për shembull e ndalojnë një shfaqje të Kosovës që të shkojë në Beograd ose të vijë një shfaqje nga Beogradi. Kësi raste kemi pasur”, tha ai.
Maliqi shtoi se është vështirë të jesh i pavarur në kuptimin e plotë të fjalës. Pak njerëz apo ndoshta askush si intelektual, sipas tij, nuk mund të jetojë nga puna e tij intelektuale, qoftë nëse boton libra, apo është artist figurativ apo çfarëdo krijuesi qoftë. Ai tregoi se ka shumë raste që ata e kanë edhe një punë tjetër.
“Ata që i kritikojnë fenomenet shoqërore apo zhvillimet politike natyrisht se u nënshtrohen sulmeve të ndryshme, sidomos ata që bëjnë gazetari hulumtuese. Mirëpo, është një lloj paradoksi se në shumicën e mediave nuk ka censurë”, tha Maliqi.
Ai e përmendi Arben Idrizin si shembull të një intelektuali të pavarur, i cili qoftë si poet qoftë si publicist, gjithmonë shfaq disa qëndrime që janë shumë të skajshme por janë individuale, ku inkorporon edhe tema sociale si racizmi apo nacionalizmi me një qasje shumë kritike dhe ndonjëherë ka mijëra reagime kundër tij, por ai vazhdon të shkruajë sikur të mos ketë ndonjë pasojë për të.
Blerina Rogova Gaxha tha se Kosova ka shumë intelektualë por shtoi se shteti nuk ka ndonjë projekt të thithjes së trurit. Të qenit intelektual i pavarur në vendin tonë, sipas saj, është akoma një nocion gati i pamundshëm.
“Kosova si shtet i formuar në dhjetëvjeçarin e mileniumit të ri akoma nuk ka krijuar as kushtet as mjetet që t’ua mundësojë njerëzve që të jetojnë nga puna e mendjes, plus që ky pushtet ka provuar dhe provon vazhdimisht që këta njerëz që e ngrehin zërin ndaj pushtetit t’i fusë në shtëpinë e vet, në mënyrë që, në njëfarë mënyrë, t’ua mbyllë gojën”, tha ajo.
Për dramaturgen nga Beogradi Marija Karaklajiq nuk ekziston ndonjë dallim i madh i ngjarjeve që organizohen në mënyrë joinstitucionale në Beograd dhe këtu për shkak se, sipas saj, mblidhen një grup i entuziastëve që i ftojnë disa njerëz nga rajoni, të cilët nuk janë mjaft të përfaqësuar nëpër media dhe u ofrojnë një platformë që të shprehen dhe t’i thonë ato gjera që nuk përfaqësohen në platformën e kulturës institucionale.
Ndërkaq, Sasha Qiriq, kritik letrar nga Beogradi, shtoi se ata si intelektualë të pavarur dhe shoqëria civile gjithmonë janë në betejë me institucionet. Sipas tij, është gjithashtu interesant që njerëzit që janë në pozicion kyç nuk kanë apo refuzojnë të përfaqësojnë ndonjë ideologji për të cilët është me rëndësi interesi personal dhe pasurimi personal.
“Në sferën e kulturës është Pen Qendra, është Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë dhe ata nacionalistë dhe ata kapitalistë të rinj bashkëjetojnë shkëlqyeshëm dhe pastaj kritika jonë duket ekstremiste. Unë mendoj se në kulturë angazhimi është i mundur në dy mënyra, është ai publik përmes teksteve, përmes intervistave, ndërsa ndikimi i dytë është profesional, përmes veprave artistike dhe përmes punës me të cilën ne merremi”, tha ai.
Përpos këtij paneli, në orët e mbrëmjes u zhvillua edhe një panel tjetër mbi letërsinë dhe kujtesën, ndërsa më vonë pati edhe lexime të poezive nga poetët pjesëmarrës në festival.