E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statusi i ushtarakut si skandal ligjor

Politika e viteve të tranzicionit, si të djathtët dhe të majtët, vazhdimisht mburren se kanë punuar me seriozitet e shqetësim maksimal, për kryerjen e reformës në F.A, po ashtu dhe për integrimin dinjitoz të ish-ushtarakëve në jetën sociale, shoqërore, ekonomike përmes politikave specifike, jo vetëm për t'ju përshtatur sa më shpejt tregut të punës, por dhe të plotësimit të kuadrit të ligjor b/kohor, serioz e korrekt.


Por realiteti pas afro 20 viteve është absurd e shumë më shqetësues, dhe aktualisht pa prespektivë. Pasi fondet minimale të caktuara nga shteti për këtë qëllim, kanë ndërruar destinacion nga vetë drejtuesit e lartë të MM-së dhe ato asnjëherë nuk u përdorën sipas planeve e programeve të miratuara.


Por dhe ligjet e miratuara nga Parlamenti e sidomos statusi i ushtarakut, asnjëherë nuk janë zbatuar me korrektësi, por për mashtrim, demogagji, diskriminim, dhe keqpërdorimin e tyre vetëm për marrjen e pushtetit politik.


Statusi i ushtarakut nga njëri mandat në tjetrin dhe sa herë janë ndërruar qeveritë, në vend që të përmirësohet objektivisht, është përkeqësuar më keq, dhe sot, ish-ushtarakët po shpërblehen me një pension qesharak më keq se një fshesar dhe pa frikë mund të cilësohen si të përndjekurit e demokracisë.


Sepse Parlamenti, Qeveria, efektet financiare të ligjeve i ka miratuar në fund të mandatit dhe afatet i ka caktuar për qeverinë pasardhëse, në mënyrë që ajo (e mandatuara) me pretekste e motive të pastra politike, me arrogancë e bllokoi zbatimin e ligjit dhe përfituesit ta kundërshtojnë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre vetëm sipas statusit të ushtarakut, deri në gjykatë dhe procedurat të zgjasin pa mbarim dhe qeveritë të justifikohen me pretekste të ndryshme.


Kështu, socialistët, efektet e ligjit Nr. 9481, dt. 20/05/2005, "Për sigurimin shoqëror suplementar të usht. të F.A të R.Sh", i caktuan më 1 janar 2006, pasi ata kishin dorëzuar pushtetin, ndërsa të djathtët, me të marrë pushtetin, e bllokuan zbatimin e tij dhe miratuan ligjin Nr. 9481, dt.16/02/2006 dhe ushtarakët e kundërshtuan në Gjykatën Kushtetuese dhe fituan gjyqin me Qeverinë.


Megjithatë (Qeveria), e përfundoi mandatin dhe nuk bëri as përpjekjet minimale për të zbatuar ligjin (statusin), duke mos dhënë asnjë shpjegim konkret, por me arrogancën më ekstreme e motivuan politikisht, hakmerret politikisht, duke i dënuar ata në portofol, me synim për t'i goditur, nënshtruar e përdorur vazhdimisht. Sigurisht, hakmarrja e politikës ndaj ish-ushtarakëve ka qenë direkt e hapur, duke mos zbatuar asnjë procedurë normale ligjore, duke miratuar ligj për ligjet.


Por, në fakt, ajo ka miratuar ligje për të mos zbatuar ligjet, d.m.th ligje mbi ligje, aspak të domosdoshëm që vetëm pengojnë, vonojnë dhe nuk ndihmojnë, por zvarrisin zgjidhjen e problemit, duke e kthyer vetë ligjin në problemin kryesor, në vend që procedurat të thjeshtohen në përputhje me standardet ligjore të njohura e të praktikuara, për të shpejtuar zbatimin e statusit të ushtarakut që ata të fitojnë të drejtat e tyre ligjore. Kjo do të thotë se për të zbatuar ligjin, Parlamenti duhet t'i caktojë ekzekutivit (qeverisë) afate konkrete kohore e jo të komplikojë procedurat vetë ligjvënësi. Konkretisht:


1. Qeveria duhet të miratojë VKM për zbatimin e ligjit të miratuar nga Parlamenti për të gjitha dikasteret e institucionet e tjera vartëse dhe jo të miratojë ligj tjetër për zbatimin e statusit të ushtarakut, ashtu si kanë vepruar të gjitha qeveritë e pas 1991-shit. 2.


Dikasteret qendrore (ministritë) dhe institucionet e tjera të një rangu, duhet të nxjerrin udhëzimet përkatëse për zbatimin e VKM sipas afateve kohore ligjore. 3. Drejtoritë, komandat, pushteti lokal, ndërmarrjet shtetërore dhe ato private, duhet t'u nxjerrin urdhër të posaçëm atyre për zbatimin e udhëzimeve të eprorit dhe VKM-së.


Sigurisht, politika e ndjekur nuk është rastësi, apo padije, por një veprim i qëllimshëm dhe i padenjë, në një shtet të së drejtës dhe demokratik, por jo vetëm. Sigurisht, kjo praktikë ka ndodhur vetëm me ushtarakët e reformës dhe kurrë për deputetët e nëpunësit e tjerë, ku procedurat janë shumë më të thjeshta dhe statusi i tyre zbatohet me korrektësi maksimale.


Prandaj, për zbatimin e ligjit, Parlamenti nuk duhet të miratojë asnjë ligj tjetër për ish-ushtarakët, por t'i kërkojë llogari Kryeministrit, pse nuk zbaton statusin e ushtarakut, nenin 35 të tij, "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të F.A", i cili përcakton qartë si llogaritet pensioni mujor.


Kur ushtaraku ka 15 vite shërbim përfiton 50% të pagës mujore dhe për çdo vit tjetër ai shtohet me 2% të pagës mujore. Atëherë çfarë nuk përcakton (sqaron) neni 35 i statusit të ushtarakut për shpërblimin e ish-ushtarakëve, që Parlamenti aktual në 4 vitet e fundit të miratonte disa ligje të tjera kundër statusit, d.m.th, kundër ushtarakëve?


Statusi i miratuar me dt. 23.03.2004 i vlerëson të gjithë përfituesit sipas gradave, funksionit, meritave, pagës mujore, me të cilën ata janë shpërblyer gjatë karrierës ushtarake.


Padiskutim, ky veprim i Parlamentit përbën skandal të vërtetë, sidomos kur bëhet fjalë për ushtarakët, të cilët ligji i cilëson si kategori e veçantë e shoqërisë, si mbrojtës të atdheut dhe shërbëtorë të popullit, që betohen dhe për të sakrifikohen.


Sigurisht, përgjegjësia për situatën e krijuar është e Parlamentit aktual, që i ngjan Asamblesë së PD-së, i cili i është nënshtruar plotësisht presionit të mazhorancës e sidomos Berishës, që për motive të pastra politike,vazhdon t'i keqpërdorë ushtarakët, duke i cilësuar akoma si kundërshtarë politikë dhe të rrezikshëm.


Qeveria e Berishës e përsëriti skandalin në fund të mandatit qeverisës, duke mos zbatuar procedurat korrekte dhe miratuar një VKM për të zbatuar statusin e ushtarakut.


Përkundrazi, në seancën e fundit të Parlamentit dhe pa zbatuar asnjë procedurë, ajo miratoi një ligj tjetër, duke shfuqizuar nenin 35 të statusit, me nenin 31 të ligjit, duke ndryshuar pagën mujore me pagë referuese mesatare, sipas gradave që ka mbajtur çdo përfitues, të cilën e cakton qeveria.


Sigurisht, me këtë veprim ajo realizon objektivin e saj e saj që pensioni mujor i ushtarakëve të mos përmirësohet, të mos rritet, por përkundrazi, të zvogëlohet.


Përballë këtij rrethimi të hekurt Qeveri-Parlament, SHKULP-ja, si përfaqësuese e ish-ushtarakëve, duhet të padisë në gjyq Kryesinë e Parlamentit, e cila gjatë kësaj legjislature, ka lejuar dhe ka miratuar ligje hakmarrës kundër ushtarakëve, duke dënuar dhe familjet e tyre, njëlloj si në diktaturë, me objekt padi, shfuqizimin e të gjitha ligjeve të miratuara nga ky Parlament për ushtarakët.


Patjetër ish-ushtarakët nuk e miratojnë këtë sjellje rrugaçërore, këtë rrethim të dytë prej politikës, e cila për më shumë se një dekadë po hakmerret dhe po i dënon ata padrejtësisht e mizorisht.


Sigurisht, ata e kanë kuptuar shumë mirë lojën e politikës dhe nuk do të mashtrohen akoma nga këta banditë për t'u dhënë përsëri votën për të shtuar oborrin dhe pasurinë e tyre, e për të duruar akoma vuajtjet më keq se në monizëm.


Padyshim, për të ndryshuar gjendjen e për të fituar të drejtat e tyre, ushtarakët duhen të protestojnë fuqishëm e të reagojnë deri në mosbindje, në mbrojtje të ligjit për të ndërruar këtë qeverisje antipopullore dhe armik të ushtarakëve.


*Autori është ish-ushtarak

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›