Ritme të ulëta numërimi në Durrës
LSI-ja ngre zërin për votimet në grup që kanë ndodhur në zonat rurale, ku një person ka votuar për gjithë familjen
DURRËS - Numërimi i votave në qarkun e Durrësit është zhvilluar i qetë, pa incidente, por me ritme shumë të ulëta. Për të numëruar rreth 65 mijë votat e qarkut Durrës - Krujë u përcaktuan 4 KZAZ: 2 në Durrës, një në qytetin e Shijakut dhe një në qytetin e Krujës.
E para KZAZ që mbylli numrin ishte ajo e qytetit të Shijakut, në orët e para të mëngjesit të së hënës. Në 2 qendrat e numërimit të votave interesi nga ana e të gjitha forcave politike ishte i madh, pasi 10 orët e para nuk nxirrnin asnjë prej partive fituese të kësaj gare.
Barazpesha u prish vetëm nga leximi i votës në bastionet e së djathtës në zonat rurale. Ishin zonat e Shijakut, të komunës Rrashbull, Katund i Ri, dhe Bashkia Sukth e cila bëri diferencën duke kaluar me rreth 6500 vota në total avantazhin e koalicionit të djathtë ndaj opozitës.
Sipas Genc Alizotit, i LSI-së, "në zonat rurale janë vënë re shumë parregullsi, që nisin nga votimet në grup, një person voton për të gjithë familjen, duke rritur në mënyrë artificiale numrin e votuesve.
Ai thekson se ende vazhdohet me metodën e "i forti i fshatit fiton zgjedhjet", pra vazhdon që nëpërmjet presionit në zonat rurale që i ka vënë shpesh konkurrentët para situatave jo fort të mira.
Megjithatë, nëse do të flasim në përgjithësi për të gjithë procesin zgjedhor, konfirmoj se në qarkun e Durrësit këto zgjedhje kanë pasur standarde shumë të larta që nisën nga fushata zgjedhore deri në përfundimin e numërimit të votave, - ka përfunduar Alizoti.
Është e para herë që në Durrës nuk është dashur ndërhyrja e forcave të rendit në procesin e numërimit të votave për të normalizuar situatën. Monitorimi nëpërmjet ekraneve ka qenë aksesori më i domosdoshëm për këtë proces, pasi kjo ka ndihmuar për të parë në mënyrë reale dhe pa kontestime rezultatet që janë arritur.
Kandidatja për deputete e PS-së, mjekja Klodjana Spahiu, e cila është e pesta në listën e kësaj force për deputete në kuvendin e ardhshëm tha se "mendoj që incidentet kanë qenë të pakta në qarkun e Durrësit. Ishte një proces votimi normal, por edhe numërimi i votave nuk ka pasur probleme".
Durrsakët regjistruan një pjesëmarrje afro 25% më të lartë se në zgjedhjet e korrikut 2005. Në pallatin e sportit puna ka vijuar pa ndërprerje, por nuk ka ndodhur kështu me dy KZAZ-të e tjera të vendosura në shkollën "Naim Frashëri" dhe në pallatin e kulturës së Shijakut ku u numëruan 49 kutitë e qytetit të Shijakut dhe të komunave Rrashbull, Gjepalaj dhe Xhafzotaj. Në këto dy KZAZ votimi për efekt të lodhjes fizike është ndërprerë disa herë.
Në të dyja rastet iniciatore të "raundeve" të pushimit janë bërë të majtët. Sipas pjesëmarrësve, zgjedhjet në Durrës kanë qenë sipas standardeve, por ka pasur edhe vërejtje për të meta të pakapërcyera nga metodat e kaluara.
Aleanca e ndryshimit 30 434 vota
Aleanca socialiste për integrim 4827 vota
Bashkimi për ndryshim 27539 vota
Totali i votuesve 62 000, në KZAZ e pallatit të sportit
Në shkollën "Naim Frashëri" ka përfunduar numërimi
Aleanca e PD-së ka 2200 vota më shumë se Aleanca e PS-së
Në Shijak, Xhafzotaj, Rrashbull dhe Gjepalaj PD 6200 vota më tepër
Në Krujë PD 39%, PS 37%
PD-7 deputetë,
PS - 5 deputetë,
LSI - 1 deputet